Fjala Përfundimtare për Agdi Krasniqin, i Dyshuar për Vrasje

Është mbajtur seanca e radhës ndaj Agdi Krasniqit, i cili akuzohet nga Prokuroria Themelore në Gjilan për veprën penale “Vrasje nga neni 146 i KPK-së”.

Kryetari i trupit gjykues, Hasan Sadiku, ftoi palët që t’i paraqesin fjalët e tyre përfundimtare në rastin ku i pandehuri Agdi Krasniqi akuzohet se në korrik të vitit 2012, me qëllim të privimit nga jeta, ka goditur me thikë 10 herë tashmë të ndjerin Gëzim Demirin nga Kamenica.

Prokurori Shaban Spahiu, në fjalën e tij përfundimtare, tha se konsideroi se gjendja faktike e përshkruar si në dispozitivin e aktakuzës me plotësimin dhe precizimin e bërë gjatë shqyrtimit gjyqësor, është vërtetuar se në mënyrë të qartë dhe të plotë i akuzuari Krasniqi ka kryer veprën penale vrasje.

Prokurori kërkoi nga gjykata, gjegjësisht nga trupi gjykues së gjatë caktimit të dënimit të marrë parasysh si rrethana rënduese shkallën e përgjegjësisë penale të të akuzuarit, brutalitetin ndaj viktimës, dhe pasojat meqë ka privuar nga jeta një të ri në moshën 23 vjeçare.

Ai theksoi edhe faktin që i akuzuari edhe më parë ka qenë i dënuar me aktgjykim të plotfuqishëm për një vepër penale.

Po ashtu, fjalën e tij përfundimtare e dha edhe avokati Ymer Huruglica, i cili përfaqëson të akuzuarin Krasniqi. Huruglica, në emër të familjes Krasniqi, shprehu keqardhjen për ngjarjen dhe përmendi faktin se familja e të akuzuarit ka tentuar mbi 23 herë që të arrijnë marrëveshje paqeje me familjen e të ndjerit, por që nuk kanë pasur sukses.

Ai shtoi se i akuzuari ka vepruar në mbrojte të nevojshme, dhe kjo është qartësuar dhe sqaruar nga raportet mjekësore, në të cilat është konstatuar se i akuzuari është rrahur keq, dhe kësisoj konsideroi se akuza që rëndon mbi të mbrojturin nuk qëndron.

Drejtuar prokurorit, ai pyeti se “si është e mundur që ju t’i përmendni vetëm rrethanat rënduese ndaj të mbrojturit tim, kurse sipas ligjit ju duhet të gjeni edhe rrethana lehtësuese”.

Seanca e radhës ku do te shpallet aktgjykimi është caktuar më datën 9 të këtij muaji.