FIQ Mbjell Lule dhe Pemë në Obiliq

“Dhuro pemën tënde, jepi jetë një komuniteti”, është fushata që ka nisur Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ), për të mbjellë lule sezonale dhe fidanë në komunën e Obiliqit dhe Shkabaj (Hade e Re).

Arsyeja e këtij aktiviteti, pikërisht në këtë komunë, është promovimi i rëndësisë së ambientit dhe ngritja e vetëdijes mbi gjendjen e rëndë të ajrit dhe mjedisit në përgjithësi.

“FIQ-i nëpërmjet këtij aksioni dëshiron të përçojë mesazhin te qeveria dhe menaxhmenti i KEK-ut dhe komuna që këta njerëz kanë nevojë për mbështetje dhe shërbime bazike “, tha drejtoresha ekzekutive e FIQ-it, Dajana Berisha.

Ndërkohë zyrtarë të kësaj komune, thonë që aktiviteti për përmirësimin e ambientit do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

“Këtë sezon më së paku rreth 3000 drunj do t’i mbjellim. Do të mbjellim lule sezonale, lule drunore dhe do t’i angazhojmë edhe vet qytetarët që ata vet të kenë qasje në to për mbjellje për mirëmbajtje që ta kenë vetëdijesimin dhe ta bëjnë mirëmbajtjen sa ma shumë”, u shpreh drejtori i Mbrojtjes së Mjedisit në këtë komunë, Arben Berisha.

Lulet dhe fidanët e mbjellë sot, do të mirëmbahen nga një kompani kontraktuese, vullnetarët e FIQ-it, iniciativa ambientale për zhvillim lokal dhe banorët e kësaj pjese.

Objektivi i FIQ-it është që të mbledhë 5000 euro për mbjellje të luleve dhe drunjtëve. Aktiviteti i njëjtë do të vazhdojë edhe nesër dhe ditë tjera.

FIQ është fondacion kombëtar me një traditë të gjatë të punës me komunitetin. Thelbi i punës së kësaj organizate është zhvillimi i qëndrueshëm me qëllim nxitjen dhe zhvillimin e komuniteteve lokale në aspektin socio-ekonomik.