“Filmi” Trevjeçar për Menynë e Kryeministrit dhe Zëvendësve të Tij

Padia e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) kundër Zyrës së Kryeministrit të Kosovës për shpenzimet e Kryeministrit dhe Zëvendës Kryeministrave të mandatit të kaluar në dreka e darka zyrtare jashtë shtetit tashmë ka marrë fund me një vendim të gjykatës se publiku ka të drejtë t’i ketë në dorë këto dokumente.

Drejtuesja e Zyrës Ligjore në BIRN, Furtuna Sheremeti, pasi ka marrë në dorë vendimin e plotfuqishëm të gjykatës, thotë se historia e padisë është “film i panevojshëm”.

Historia ka nisur gati tre vjet më parë kur një kërkesë e BIRN për të pasur qasje në këto dokumente ishte refuzuar.

BIRN kishte vendosur t’i drejtohet gjykatës.

“Me këtë vendim, ne mund të shkojmë në të gjitha institucionet publike dhe t’i kërkojmë shpenzimet e buxhetit”, tha sonte Sheremeti në emisionin “jeta në Kosovë”.

Ndërsa redaktori i emisionit “Drejtësia në Kosovë”, Kreshnik Gashi, thotë se ky vendim u hap shumë rrugë gazetarëve që duan t’u drejtohen institucioneve për të marrë dokumente të mbajtura të fshehura nga institucionet.

“Pas këtij vendimi, do ta marrim vesh më lehtë se sa po shpenzojnë ministrat, çka po hanë e çka po pinë me paratë e buxhetit”, tha Gashi në këtë emision.

Që qeveria duhet t’i hapë follderët dhe t’i japë këto dokumente tani mendon edhe Ruzhdi Jashari, drejtor i Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Në një opinion të mëhershëm, zyra e Jasharit ishte shprehur kundër publikimit të faturave të shpenzimeve të qeveritarëve por tani ai mendon ndryshe.

“Zyra e Kryeministrit duhet t’i japë të dokumentet e shpenzimeve’, tha ai pas vendimit të gjykatës.

BIRN ndërkohë ka paditur edhe Këshillin Prokurorial të Kosovës pasi që ky institucion ka refuzuar që të përgjigjet në kërkesën për dhënien e listës së prokurorëve që janë nën procedurë disiplinore.

Shkalla e parë e Gjykatës i ka dhënë të drejtë BIRN-it, por KPK ka apeluar këtë vendim.

Në rast se shkalla e dytë i jep sërish të drejtë BIRN-it, Kelmendi premton se do ta zbatojë atë vendim.

“Me ardhjen e z. Lumezi si Kryeprokuror ka filluar një qasje e re në qasjen në dokumente publike”, tha Besim Kelmendi.