Ramadan Zejnullahu, ish-rektor i UP-së

Fillojnë Protestat për Shkarkimin e Rektorit Ramadan Zejnullahu

Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës dhe Këshillat e Njësive Akademike, të martën i janë drejtuar Rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” për të marrë përgjigje nga Këshilli Drejtues për kërkesën e tyre e cila ka të bëjë me shkarkimin e rektorit të sapozgjedhur Ramadan Zejnullahut.

Në shenjë të mospërgjigjes, një grup prej 60 personave kanë protestuar para Rektoratit.

“Ne jemi drejtuar për të marrë përgjigje, por askush nuk ka dalë të na tregojë se çka ka ndodhur me kërkesën tonë për shkarkimin e rektorit”, tha kryetari i Parlamentit Studentor të UP-së, Irfan Veseli.

Ai ndër tjerash tregoi se pasi që nuk kishin marrë përgjigje, ata kishin vendosur disa simbolika te objekti i Rektoratit.

“Kemi bërë një protestë paqësore ku kemi qenë rreth 60 persona nga Parlamenti Studentor dhe Këshillat e Njësive Akademike. Në objektin e Rektoratit kemi vendosur disa simbolika si “Rektor Ik”, ‘Revista Fiktive’, ‘Kundër Standardit të Dyfishtë’”, tha Veseli.

Veseli tha se pakënaqësitë për mënyrën e përzgjedhjes së rektorit Ramadan Zejnullahu nuk do të ndalen me kaq.

“Do të ketë skenarë te ndryshëm për shkarkimin e rektorit”,  theksoi Veseli.

Ai tregoi se Parlamenti Studentor ka bërë ankesë në Agjencinë Kundër Korrupsionit për mënyrën se si është përzgjedhur rektori Zejnullahu.

“Ne po e presim Agjencinë Kundër Korrupsion sepse ua kemi drejtuar një kërkesë atyre dhe gjatë ditës do ta drejtomë edhe një ankesë te institucioni më i lartë për ta shkarkuar rektorin, sepse institucioni më i lartë është përgjegjës për këtë punë”, pohoi Veseli.

Pakënaqësitë e Parlamentit Studentor filluan pasi që u kuptua se baxhanaku i rektorit Blerim Kamberi në cilësinë e anëtarit të Këshillit Drejtues të UP-së kishte marrë pjesë në votim për përzgjedhjen e Ramadan Zejnullahut si rektor i ri.

Rektori Zejnullahu për Gazetën Jeta në Kosovë pati pranuar se Blerim Kamberi është baxhanaku i tij.

“  Po…po është (baxhanaku im) por pyetni Këshillin Drejtues a është konflikt interesi baxhanaku apo nuk është….ose Agjencinë Kundër Korrupsion pyetni. Këta janë që munden ta kontestojnë, unë nuk lëshohem..”, pati thënë rektori Zejnullahu.

E baxhanaku i Rektorit, Blerim Kamberi tha se vota e anëtarëve të Këshillit Drejtues ka qenë e pavarur, e lirë, e fshehtë dhe e padiskutueshme, nga askush, cilidoqoftë ai.

“ Këshilli Drejtues me shumicën e votave ka zgjedhur prej të mirëve më të mirin për rektor të UP-së prof. dr. Ramadan Zejnullahun. Edhe pse me profesion jam stomatolog, mund të gjykoj se në këtë proces nuk ka pasë konflikt interesi”, tha Kamberi.

Sipas burimeve të gazetës “Jeta në Kosovë”,  pritet që nga fundi i muajit shtator kur edhe studentët do të rikthehen, të ketë protesta masive për shkarkimin e rektorit Ramadan Zejnullahu.