
Fetah Rudi Zgjidhet Nënkryetar i Komunës së Malishevës
Aktivisti shumëvjeçar i LDK-së Fetah Rudi është zgjedhur sot nënkryetar i Komunës së Malishevës, në ditën kur zyrtarisht hyri në fuqi marrëveshja Nisma-LDK për bashkëqeverisje në këtë komunë.
Me marrëveshjen e nënshkruar më 23 shkurt, LDK-së përveç nënkryetarit do t’i takojnë edhe tri drejtori komunale.
Në Kuvendin e Malishevës prej 31 asamblistëve Nisma dhe LDK-ja së bashku kanë 18 asamblistë.
Fetah Rudi njihet në opinion si veprimtar i hershëm i LDK-së i cili më 15 dhjetor 2000 është plagosur rëndë në rrethana të pasqaruara dhe prej atëherë ka mbetur në karrocë invalidi, por nuk e ka ndalur asnjëherë aktivitetin politik.
Januz Kastrati, kryetar i degës së LDK-së në Malishevë ka bërë me dije se kundërkandidatë të Rudit për postin e nënkryetarit kanë qenë Bajrush Hoti nga Malisheva si dhe Rrahim Morina nga Astrazupi.
LDK-ja pritet të drejtojë edhe drejtoritë e administratës, urbanizmit dhe kadastrës e gjeodezisë.
Kandidat për Drejtorinë e Administratës është propozuar juristi Sami Kafexholli, për Drejtorinë e Urbanizmit, inxhinieri i ndërtimtarisë Skender Rrahmanaj dhe për Kadastër e Gjeodezi juristi Fatmir Ademaj.