Festimi i humbjes në Gazimestan, 630 vjet pas
Rreth të 70-tave, një burrë i veshur me një bluzë të bardhë me fotografinë e Sheshelit, i ishte bashkangjitur festimit të shënjimit të Betejës së Kosovës, apo sic e njohin “ Vidovdan “, në Gazimestan.
I moshuari i cili kaloi patrullat policore me veshje të zakonshme, ndërroi ngjyrat brenda perimetrit ku po mbaheshin festimet.
Si çdo 28 qershor, që nga viti 1989, serbët mblidhen në këtë vend për ta kujtuar përvjetorin e Betejës së Kosovës, një përleshje e cila solli përballë koalicionin e luftëtarëve ballkanikë kundër Perandorisë Osmane.
Në vitin 1989, Slobodan Milosheviq mblodhi në këtë fushë qindra-mijëra serbë për ta ta nisur synimin e tij pvr krijimin e Serbisë së Madhe.
Për të parandaluar ndonjë provokim apo tensionim të situatës, Policia e Kosovës vendosën që të moshuarit t’ia largonin bluzën me fotografinë e Sheshelit.
Që nga orët e mëngjesit, Policia ishte përkujdesur që të siguronte të gjitha perimetrat që të dërgojnë drejt monumentit i cili gjendet në Gazimestan, nga ku çdo vit pelegrinët Serb shënojnë fitoren e Betejës së Kosovës.
Në Gazimestan, bashkë me flamurin e Serbisë u hapën edhe flamuri i Greqisë dhe ai i Rusisë. Afër tyre u vendos edhe një flamur i cili kishte hartën e Kosovës, me flamurin serb mbi hartë, dhe me mbishkrimin “Nuk Dorëzohemi”.
Rreth orës 12:20, më shumë se 10 autobusë, disa nga ta edhe me tabela të Serbisë, nën përcjelljen e Policisë kishin arritur te monumenti i Gazmestanit, ku më pas do të fillonin ritualet fetare, të cilave do t’u prinin priftërinjtë ortodoksë.
Pelegrinët serbë edhe kësaj radhe nuk harruan që të sillnin me vete flamuj të Serbisë me mbishkrime “Nuk ka ndarje”, “Nuk dorëzohemi” dhe “Kosova është Serbi”.
Këto mbishkrime mund të vëreheshin edhe në bluzat e të rinjve, për të cilat Policia kësaj radhe nuk ua largoi, situatë e tillë ishte shfaqur para disa vitesh, një situatë e tensionuar ishte krijuar në hyrje të Gazimestanit kur njësitet e Policisë i kishin larguar të gjitha veshjet me mbishkrime nacionaliste pelegrinëve serbë të cilët kishin ardhur në manifestimin në Gazimestan.
Me të zbritur nga autobusi, një numër i të rinjve u mblodhën bashkë, hapën flamujt serbë dhe filluan të këndonin në kore bashkërisht, “Këtu këndohet çdo pranverë”, “Oj Kosovë oj tokë e dashur”, dhe vazhduan me thirrje “Serbia, Serbia…”.
Disa minuta më pas nën përcjelljen e policisë erdhën edhe priftërinjtë ortodoksë.
Gjatë fjalimit priftërinjtë ortodoksë, nuk harruan pa përmendur bombardimet e NATO-s, në vitet 1999, për të cilat thanë se ishin “të padrejta ndaj Serbisë”.
Të njëjtit gjatë fjalimit të tyre iu referuan Kosovës, si “tokë e shenjtë”.
“Do të luftojmë për këtë tokë të shenjtë që kanë luftuar edhe gjyshërit tanë”, tha njëri nga ta gjatë ceremonisë.
Ndërsa gjatë fjalimit patën porosi edhe për presidentit Aleksandar Vuçiq,
“Ata që thonë se nuk do luftojmë për Kosovën janë frikacakë, qofshin edhe Presidentë të vendit”, ndrsa masa e tubuar e përcolli me duartrokitje kvtë mesazh.
Me të përfunduar ceremonitë fetare dhe pasi që u larguan priftërinjtë ortodoksë, në skenën e vendosur në Gazimestan, u hap një pankartë, me mbishkrimet “Nuk ka ndarje”, “Nuk Dorëzohemi” dhe me hartën e Kosovës, me mbishkrimin “Kosova është Serbi”.
Këtu filluan të këndoheshin edhe këngë popullore nacionaliste, “Kosovë toka jonë e dashur”.
Gjatë gjithë ceremonisë Njësitë e Policisë së Kosovës qëndruan në gjendje gatishmërie për të parandaluar çdo incident që mund të ndodhte.
Manifestimi përfundoi i qetë dhe pas priftërinjve edhe pelegrinët i mblodhën pankartat dhe flamujt serbë që kishin marrë me vete dhe u larguan nga Gazimestani.