Festë me Raki për Rregullimin e Rrugës

Fillimin e shtrimit me asfalt të rrugës katërkilometërshe që lidh fshatrat e Klinës Dobërdol e Gjurgjevik të Madh banorët e festuan me meze e raki!

Anton Gashi banor i fshatit Dobërdol festën për rrugën që po rregullohet nga komuna e arsyeton me faktin se ajo ishte e pakalueshme.

“Nuk kemi mundur kurrsesi të kalojmë [rrugën në fjalë]. Unë jam si postier në këto fshatra dhe fshati i jonë (Dobërdol) edhe i Gjurgjevikut të Madh ka qenë shumë i bllokuar në mes të fshatit. Por tash jemi të kënaqur më ketë rrugë,” tha Gashi.

Remzi Vishaj, banori tjetër i Dobërdolit dhe përgjegjësi për ndërtimin e rrugës, thotë se ky projekt do ta ndalojë shpërnguljen.

“Prej këtij lokaliteti ka pasur edhe largime nga fshati dhe po të mos ishte edhe ky investim banorët do të largoheshin nga ky fshat,” tha Vishaj.

Ai tregoi se edhe banorët e fshatit i kanë ndihmuar shtrimit të rrugës me 30 mijë euro.

Pjesëmarrjen e banorëve në shtrimin e rrugës dhe domosdoshmërinë e këtij rregullimi e përmend edhe drejtori i Urbanizmit në Klinë Baki Gashi.

“Është pare vullneti dhe gatishmëria e fshatit Doberdol, ku ka qenë një participim i begatshëm dhe ne si komune e kemi parë të arsyeshëm ta kryejmë këtë investim në këtë fshat. Realisht ka qenë edhe nevojë e domosdoshme,” tha Gashi.

Projekti ka kushtuar 320 mijë euro, ndërsa do të përfundojë brenda pak ditësh.