Ferdije Zhushi dhe të Tjerët Deklarohen të Pafajshëm

Në gjykimin kundër Ferdije Zhushit, Armend e Basri Mujës dhe Naim Brahës aktakuza u konsiderua e lexuar.

Aktakuza nuk u lexua fare për ekonomizim të kohës, ndërsa për këtë u pajtuan të gjitha palët.

Katër të akuzuarit nuk e pranuan fajësinë dhe e deklaruan veten të pafajshëm.

Armend Muja akuzohet për veprën penale marrje e ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerje, ndërsa Basri Muja dhe  Ferdije Zhushi ngarkohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje dhe në vazhdim dhe për veprën penale marrje e ryshfetit në vazhdim dhe bashkëkryerjeje.

Naim Braha akuzohet për veprën penale të dhënies se ryshfetit.

Ramë Gashi, avokati i Armend Mujës, pas seancës tregoi se çfarë ndodhi gjatë saj.

“Sot ndodhi leximi i aktakuzës, po ashtu ndodhi edhe një ndryshim-plotësim në aktakuzë, të pandehurit deklaruan se e kundërshtojnë aktakuzën dhe nuk ndihen fajtorë, mbrojtja pajtohet me qëndrimin e të mbrojturve dhe ne në afat ligjor do ta bëjmë kundërshtimin e provave dhe në tërësi aktakuzën,“ deklaroi Gashi.

Seanca e radhës do të mbahet me 21 dhjetor 2015.

Aktakuza është dashur të lexohej në seancën e kaluar, por ajo seancë u shty ngase mungonte në shkresat e lëndës një dokument vlerësimi i vitit 2013 për Kolegjin “Universum” nga Agjencia e Akreditimit.

Në kohën në të cilën akuzohet, Basri Muja ishte drejtor i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, ndërsa Ferdije Zhushi zyrtare e kësaj agjencie.

Ferdije Zhushi-Etemi që ishte kryetare e Bordit të Agjencisë Kosovare për Akreditim dha dorëheqje nga kjo pozitë në shtator të këtij viti, pas ditë pasi ndaj saj u ngrit aktakuza.

Ajo bashkë me Armend Mujën, një ish-punonjës të UNDP-së u arrestuan në nëntor të vitit të kaluar.