Fëmijët si Dekor i Fushatave të Partive (TV)
Maj 31, 2014 – Fytyrat engjëllore të fëmijëve janë parë edhe në tubimet hapëse dhe gjatë fushatës së deritashme zgjedhore të shumë subjekteve politike kosovare, teksa pozojnë para kamerave, fotografojnë rrjedhën e tubimeve, ose janë të veshur me logo partish, a fytyra dhe emra kandidatësh të tyre. Organizatat që mbrojnë të vegjlit thonë se reforma zgjedhore duhet ta ndalojë prezencën e tyre në fushatë.
Një vajzë e re është alivanosur në tubimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës të mbajtur në Klinë më 29 maj ku po promovohej programi i partisë.
Ajo është larguar me shpejtësi nga salla e tubimit ndërsa më pas Pal Lekaj është përkujdesur për gjendjen e saj shëndetësore.
Ernest Luma nga AAK-ja thotë se vajza nuk ka qenë e mitur. “Në rastin konkret nuk është e mitur, por e moshës madhore 18 deri në 19 vjeç”, arsyetohet ai.
Në tubim ka edhe fëmijë të tjerë e njëri ndër ta pozon para kamerës me insistimin e prindit të tij, ndërsa mban veshur fanellën me foton e njërit nga kandidatët.
Raste të ngjashme ku të rinjtë dhe fëmijët përdoren dhe lejohen të marrin pjesë në fushatë janë parë edhe në promovime të partive tjera.
Në tubimin e partisë Nisma për Kosovën të mbajtur në palestrën sportive “1 Tetori” në Prishtinë më 29 maj është lejuar një numër i madh i fëmijëve brenda sallës. Ata brohorisnin emrin e partisë dhe kishin të veshur veshje identifikuese të saj.
Gazeta ka tentuar të kontaktojë me Endrit Shalën nga Nisma për Kosovën, por kontakti nuk ka qenë i mundur.
Fëmijët janë parë edhe në tubimin zgjedhor të mbajtur në Pejë. Një nga ta dëfrehej duke lozur me zbukurimet e fushatës.
Luma nga AAK-ja thotë se janë munduar të mos lejojnë fëmijë.
E pranishme në Pejë ishte edhe kampionia e botës në xhudo Majlinda Kelmendi.
Fëmijë, edhe pse në numër dukshëm më të vogël kanë qenë të pranishëm edhe në hapjen e fushatës zgjedhore nga Lëvizja “Vetëvendosje” në Prizren më 28 maj.
Albin Kurti, i shoqëruar me të gjithë kandidatët e Lëvizjes “Vetëvendosje” për deputetë të Kuvendit të Kosovës atë ditë mbajti takimin në oborrin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Prapa Kurtit në skenë qëndronte edhe një fëmijë i cili ishte ulur afër skenës.
Erzen Vraniqi nga “Vetëvendosja” thotë se kemi të bëjmë me raste të izoluara.
“Kryesisht kanë qenë fëmijë nën përkujdesjen e familjarëve të tyre. Ne ua kemi tërhequr vërejtjen dhe ka pasur raste kur nuk janë lejuar të jenë të pranishëm në tubim me fëmijë”, tha Vraniqi.
Reforma të largojë fëmijët nga fushatat
Paraqitja e fëmijëve për qëllime elektorale është kundërshtuar nga organizata zvicieane “Terre Des Hommes” (TDH) e cila merret me mbrojtjen e fëmijëve.
“Besojmë që është tërësisht e papranueshme që kudo në botë për partitë politike të përdorin fëmijët gjatë aktiviteteve të tyre në fushatën elektorale”, tha Natyra Avdiu, zyrtare për avokim pranë TDH-së.
Sipas saj, kjo ndikon në të drejtën e tyre për të vendosur lidhur me bindjet e tyre politike si dhe të drejtën e privatësisë.
“Në këto raste këto të drejta mund të shkelen për arsye se fëmijët mund të identifikohen si simpatizantë apo mbështetës të një partie të veçantë në një moshë të re, pa e kuptuar plotësisht rëndësinë e pjesëmarrjes së tyre”, shtoi ajo.
Aktualisht prezenca e fëmijëve në fushatë zgjedhore nuk është e ndaluar me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme.
“Legjislacioni në fuqi që ka të bëjë me zgjedhjet nuk e rregullon çështjen e fëmijëve në mënyrë specifike”, thotë Avdiu nga “Terre Des Hommes”.
Avdiu thotë se kjo duhet të adresohet gjatë reformës zgjedhore dhe se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të gjejë mënyra që të ndëshkojë partitë politike për këto veprime.
Por prezantimi i fëmijëve në spotet televizive zgjedhore është i ndaluar.
“Nuk lejohet prezenca e fëmijëve në spotet e ndryshme promovuese të partive politike”, thuhet në nenin 9.8 të Kodit të Sjelljes për Shërbimet Audio Vizuale të Komisionit të Pavarur të Mediave.
Avdiu kërkon edhe nga mediat që të jenë të kujdesshme kur raportojnë për fëmijët. Thotë se ato duhet të mbrojnë identitetin e tyre.