Fëmijët e Rajonit Nisin “Ylberin e Prishtinës”

Ka nisur dje festivali ndërkombëtar tradicional i këngëve dhe valleve për  fëmijëve  “Ylberi i Prishtinës” 2014, që zhvillohet  në kryeqendër. Në festival marrin pjesë ansamble nga vendi dhe rajoni.

Me këtë rast, në sheshin Zahir Pajaziti performuan ansamble të ndryshme nga vendi dhe rajoni.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, me këtë rast iu uroi mirëseardhje të gjithë të pranishmëve dhe e hapi festivalin.

“Rëndësia e kësaj ngjarjeje kulturore është se fëmijët që në moshën e hershme njihen me kultura të ndryshme, përmes valleve të ndryshme edhe të qyteteve të tjera, por edhe të shteteve të tjera”, tha Ahmeti.

Festivali realizohet nga Qendra Kulturore e Fëmijëve të Prishtinës dhe mbështetet nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Prishtinës.

Shtetet të cilat do të marrin pjesë në festivalin “Ylberi i Prishtinës” 2014 janë: Turqia, Shqipëria, Kroacia, Bosnje & Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia dhe ansamblet e valleve nga Kosova.

Programi për sot është si në vijim: Ora 18:00 – Paraqitje tematike e 7 ansambleve me pikat e zgjedhura: valle, lojëra popullore dhe këngë, në kohëzgjatje prej 15 minutash në sheshin “Zahir Pajaziti”.