Feja të Mos përdoret Për Qëllime Politike

Me ftesë të Misionit të OSBE-së në Kosovë, sot u mblodhën prijësit dhe pjesëtarët e komuniteteve islamike, serbe ortodokse, katolike, protestante ungjillore dhe hebraike në Kosovë.

Në ketë takim, u bisedua për tolerancën fetarë në Kosovë, dhe bënë thirrjen e tyre për përmirësim të kornizës ligjore e cila do tu mundësonte komuniteteve fetare të regjistrohen si persona juridikë, të kërkojnë rikthim të pronës dhe të rregullojnë financat e tyre.

“Është e rëndësishme që  të kemi një kulturë të bashkëpunimit dhe të praktikave të mira dhe të kërkojmë mënyra të tjera për bashkëpunim të mëtutjeshëm për organizimin e çështjeve dhe brengave. Dua t’i komplimentoj udhëheqësit fetarë për vullnetin që kanë për të punuar”, tha Ambasadori Jean-Claude Cchlumberger, shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.

Kurse Myftiu Naim Tërnava, kryetar i Bashkësisë Islame në Kosovë, tha se fryma e tolerancës ndërfetare, respektit dhe besimit në Kosovë, po dëshmohet edhe njëherë.

Tërnava theksoi mungesën e një ligji për pozitën juridike të bashkësive fetare, i cili do të mundësonte ri regjistrimin e pronave të bashkësive fetare si dhe zgjidhjen e shumë problemeve të tjera.

Ai përmendi edhe ndalesat në shkollim që po u bëhen vajzave të reja që mbajnë shami.

Ai e dënoi ashpër gjestin e ulët, siç e quajti ai, të mbishkrimit në Manastirin e Deçanit.

“Nuk mund të mos e vë në vëmendje rastin shkrimeve në Manastirin  Deçanit, vepër kjo sa e ulët aq edhe e urryer, vepër kjo që ne e kemi dënuar skajshmërisht. Do ta dënojmë çfarëdo gjesti i cili tenton të na e minojë tolerancën e ushqyer shekuj me radhë”, tha Tërnava.

E në lidhje me këtë deklaratë të Myftiut u pajtua edhe Peshkopi Teodosije, Nga Kisha Ortodokse. Ai tha se pajtohet me myftiun Naim Tërnava, ndërsa veprimet që kanë ndodhur në Manastirin e Deçanit, sipas tij, kanë qenë përçmuese për murgjit që jetojnë aty.

“Në radhë të parë çdo gjë që ka ndodhur në të kaluarën e afërt duhet të lëmë mënjanë. Kjo është diçka që duhet të adresohet, dhe ne duhet që t’i shërojmë këto plagë. Duhet që të përqendrohemi në vlerat tona si njerëz, dhe si shoqëri”, tha Peshkopi Teodosije.

Ai shtoi nuk bën të lejohet që njerëzit ta përdorin fenë për synime politike dhe qëllime të caktuara.

Por ndryshe nga përfaqësuesit e fesë Islame në Kosovë dhe asaj Katolike, foli Ipeshkiv Dodë Gjergji, Administrator Katolik i Administratës Apostike të Kosovës .

“Në vendin tonë, ne bashkësitë fetare duhet të jemi bartës të paqes, të jemi bartës të dashurisë, të jemi bartës të mirëkuptimit, sepse ne jo vetëm që e kemi përgjegjësi por ne e kemi edhe detyrë, për t’i mësuar të gjithë bartësit tanë, njerëzit e besimeve tona që të jenë bashkautor në dërgimin e paqes”

Në këtë takim është diskutuar edhe për mirëmbajtjen e varrezave dhe hapësirave për varreza për të gjitha komunitetet fetare në Kosovë.