Falimentimi i Kompanisë Kontraktuese La Nxënësit pa Shkollë

Rreth 70 nxënës të ciklit të ulët nga fshati Cërcë i Komunës së  Istogut që disa vite mbajnë procesin mësimor në kushte të vështira. Pesë paralele të ndara të shkollës fillore “Bajram Curri” ishin vendosur përkohësisht në shtëpinë e cila ishte për nevojat e fshatit Cërcë, derisa të ndërtohet shkolla e re.

Janë bërë pesë vjet që këta nxënës janë vendosur në këtë objekt edhe pse shkolla e re është ndërtuar që një kohë, por ende nuk është hapur për nxënësit.

Mësuesja, Luljeta Rexhaj, tha se objekti ku e mbajnë procesin mësimor nuk i plotëson kushtet.

“Kjo shkollë numëron pesë paralele, secila klasë është nga një paralele. Vazhdojmë me mësim të rregullt, punojmë në dy ndërrime. Për shkak të kushteve realisht jo të mira, kemi faktikisht mungesë të lokalit edhe pse ekziston shkolla këtu, pothuajse e përfunduar që tre vjet. Kemi pasur ankesa të prindërve,kemi ankesa edhe nga mësimdhënësit në përgjithësi”, thotë mësuesja Rexhaj.

Drejtori i arsimit në këtë komunë, Agim Haxhiu, thotë së nxënësit ishin vendosur përkohësisht në këtë objekt.

“Me thanë që si plotëson fare, mirëpo janë kushte ndoshta në rrethana të luftës. Në kohën e luftës kur kemi mbajtur mësim në objekt shtëpi -shkolla, asisoj janë kushtet në atë objekt”, deklaroi Haxhiu.

Ai thotë së shkolla e vjetër ishte rrënuar për t’i lëshuar vendin shkollës së re së bashku me sallën sportive, të financuar nga Komisioni Evropian.

“Komuna e ka rrënuar shkollën e vjetër për me liru hapësirën për ndërtimin e shkollës së re së bashku me sallën sportive dhe kanë filluar punimet. Mirëpo dihet tenderët e zyrës ndërlidhëse të Komisionit Evropian janë tenderë ndërkombëtarë dhe ketë tender e ka fituar një firmë nga Kroacia ‘Tekno-Beton’ e quajnë dhe ajo ju ka dhënë punë firmave nënkontraktuese, do të thotë firmave nga Kosova”, tha drejtori për Arsim në Istog.

Drejtori i Arsimit thotë së ka dërguar kërkesë me shkrim që nga një shtatori të vendosen nxënësit në shkollën e re dhe punimet e mbetura t’i përfundojë komuna me mjetet e saj.

“Do të kërkojmë nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian, unë kam çu një kërkesë me shkrim te firma mbikëqyrëse ‘Epitsa’ që në shtator të na lirohet objekti shkollë. Do të thotë t’i dërgojmë fëmijët në objekt shkollor, ndërsa punimet që kanë mbetur pa përfunduar t’i marrim përsipër ne si komunë që t’i përfundojmë në mënyrë që nxënësit të mos vijojnë mësimin në atë objektin ku janë duke vijuar”, shtoi Haxhiu.

Zyra e BE-së në Kosovë thotë se falimentimi i kompanisë së kontraktuar e ka sjellë këtë situatë deri këtu.

“Shuma e kontraktuar për skemën e shkollës në Istog ka qenë 600 mijë e 654 euro. Për fat të keq, për shkak të inicimit të procedurës së falimentimit të kontraktorit, kompania kroate ‘Zagorje Tehnobeton’, skema nuk ka mundur të përfundojë përkundër faktit se pjesa më e madhe e ndërtimit – rreth 85 për qind është bërë gati para tre vjetësh”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së.

Kurse Ministria e Arsimit thotë se nuk ka qenë pjesë e procesit për ndërtimin e kësaj shkolle.

“MASHT-i, nuk ka qenë në proces të ndërtimit të shkollës në fshatin Cërcë në Komunën e Istogut. Siç kemi njohuri, ky është njëri ndër projektet e Komisionit Evropian. Ne si Ministri kemi kërkuar informata nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Istog dhe jemi të njoftuar nga zyrtarët arsimorë se punimet janë ndërprerë dhe tani Komisioni Evropian është në proces gjyqësor me kompaninë e cila ka qenë e angazhuar për ndërtimin e kësaj shkolle. Po ashtu, jemi njoftuar se deri në përfundim të procesit gjyqësor, Komuna nuk mund të bëjë ndonjë ndërhyrje”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e Fadile Dylës nga Departamenti i Infrastrukturës së Ndërtesave Arsimore në MASHT.