EULEX-i Tash Flet vetëm për Veriun

EULEX-i njofton se tash e tutje institucionet e Kosovës marrin përsipër përgjegjësinë për informimin e mediave dhe publikut lidhur me të gjitha aktivitetet gjyqësore në Kosovë. Kurse për zhvillimin e procedurave gjyqësore në veri EULEX-i thotë se do të vazhdojë të sjellë informata publike.

“Sot në një letër të përbashkët të nënshkruar nga udhëheqësit e EULEX-it, Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Institucionet e Kosovës  marrin përsipër përgjegjësinë për informimin e mediave dhe të publikut të gjerë lidhur me të gjitha aktivitetet gjyqësore në Kosovë”, thuhet në komunikatën e EULEX-it.

“I lusim mediat që çdo pyetje lidhur me rastet gjyqësore dhe të prokurorisë t’ua drejtojnë drejtpërdrejt atyre. EULEX-i do t’i drejtojë gazetarët të cilët kërkojnë informata për rastet individuale gjyqësore apo të prokurorisë tek institucionet përkatëse të Kosovës. EULEX-i do të vazhdojë të ofrojë informata publike lidhur me procedurat gjyqësore në veri të Kosovës”, përfundon komunikata.