Ekspertiza Shpall Fajtor Punëtorin e Bankës

Të martën në Gjykatën Themelore të Prizrenit vazhdoi gjykimi ndaj ish-punëtorit të Pro-Credit Bankës, Abdullah Thaçit, i cili akuzohet për zbulim të fshehtësisë zyrtare, vepër kjo e dënueshme sipas kodit penal, deri në 3 vjet burg.

Të martën në seancën kundër punëtorit të “Pro-Credit” Bankës Abdullah Thaçit, u paraqit raporti i ekspertit që precizoi mënyrën se si i akuzuari hyri paligjshëm në llogarinë e dy klientëve të kësaj banke, duke zbuluar fshehtësinë zyrtare.

Kjo ekspertizë u kërkua nga mbrojtja e të akuzuarit, pasi banka si palë e dëmtuar prezantoi në seancën e kaluar si provë pasqyrat financiare dhe raportin e ndërhyrjes së paautorizuar.

Abdullah Thaçi akuzohet se më 31 korrik të vitit 2012 derisa ishte në orar të punës në cilësi të personit zyrtar dhe pa pasur autorizim, u është qasur llogarive bankare të klientëve të kësaj banke, Nexhat Çoçajt, drejtor i Arsimit në Prizren dhe Bekim Thaçit mësimdhënës.

Kështu, sipas prokurorisë, Abdullah Thaçi gjendjen e llogarive të dy klientëve i fut në një zarf  të bardhë dhe ia dorëzon Lëvizjes “Vetëvendosje”, e cila këto llogari bankare i përdorë për të ushtruar kallëzim penal.

Rasti rreth këtij kallëzimi penal është tash në fazën e hetimeve, derisa po gjykohet edhe i dyshuari si dorëzues i gjendjeve bankare të këtyre dy klientëve te subjekti opozitar.

Eksperti tha në seancë se në bazë të dhënave informative dhe atyre të sistemit të gjeneruara nga video-vëzhgimi, ‘’vërehet se ka pasur ndërhyrje në llogaritë bankare të klientëve Nexhat Çoçaj dhe Bekim Thaçi’’.

Sipas ekspertit “nga user-i ‘a.thaci’ është ndërhyrë në xhirollogaritë e dy klientëve të bankës. Këtë [i akuzuari] e bëri duke përputhur minutat dhe sekondat e të dy pasqyrave, asaj informative dhe asaj të video- vëzhgimit”.

Këtë e kundërshtoi vetë i akuzuari.

‘’Sistemi me të cilin na kemi punu, nuk ka leju të qasesh në sistem me këtë user “a.thaci”, me përgjegjësi të plotë morale po e them këtë, krejt për shkak të procesit…’’, tha Abdullah Thaçi.

Ai shpjegoi se me këtë llogari(user) vetëm ka hapur kompjuterin, ndërsa me një tjetër ka siguruar qasje në gjendjen financiare të klientëve. Thaçi u zotua se do ta zbulojë edhe profilin e fshehtë që përmendi, nëse i bëhet superekspertizë asaj për të cilën akuzohet.

Mbrojtja propozoi që të plotësohet ekspertiza dhe të vërtetohet se a ka mundësi që nëpërmjet profilit “a. Thaci” të hapet llogaria dhe të printohet nga i njëjti. Po ashtu mbrojtja kërkoi që me rastin e ekspertizës shtesë prezent në bankë të jetë edhe vetë i akuzuari.

Prokuroria dhe pala e dëmtuar e kundërshtuan pjesën e pranisë në këët ekspertizë të re të të akuzuarit, me arsyetimin e ruajtjes së konfidencialitetit të bankës.

Trupi gjykues aprovoi pjesërisht kërkesën e mbrojtjes, duke lejuar plotësimin e ekspertizës, por pa praninë në të të Abdullah Thaçit.

‘’Urdhërohet  eksperti që të shkojë në bankë, në Departamentin e Teknologjisë Informative në Pro Credit Bank në Prishtinë, në mënyrë që të verifikojë faktin se Abdullah Thaçi për me hy në sistemin e të dhënave bankare, përkatësisht në llogaritë e klientëve të kësaj banke, a ka mund me hy më shifrën ‘’a.thaci’’ apo është desht një pasvord tjetër i veçantë’’, lexoi vendimin Xhevdet Elshani në cilësinë e kryetarit të trupit gjykues.

Mbrojtja gjatë seancës kundërshtoi edhe në një pikë raportin e ekspertit. Tha se ky ekspert në raport kishte shpallur fajtor të akuzuarin.

‘’Eksperti nuk është i autorizum me e dhënë mendimin, a është dikush fajtor, apo  nuk është fajtor, e ai në ekspertizë këtë e ka bërë, në faqen e fundit te paragrafi i fundit, te përfundimi i tij’’, tha Rexhep Hasani, mbrojtësi i Abdullah Thaçit.

Kryetari i trupit gjykues e toleroi këtë lëshim të ekspertit me arsyetimin se ky ekspert me përvojë të madhe për herë të parë bën ekspertizë për gjykatën.