
Eksperti i Forenzikës Mbështet Ekspertizën në Rastin e Studentëve
Zyrtari i Agjensionit Kosovar për Forenzikë dëshmoi në gjykimin e studentit Jashar Velija, i cili akuzohet për falsifikim.
Në seancën kundër shtatë studentëve që akuzohen për falsifikim të dokumentit zyrtar dhe legalizim të përmbajtjes së pavërtetë në vitin 2009, ku përveç Velijajt te tjerët e kishin pranuar fajësinë, dëshmoi në cilësinë e ekspertit zyrtari i Agjensionit Kosovar për Forenzikë, Halim Borovci.
“Sa i përket ekspertizës kam vërejtur se në Index ka pasur ndërhyrje në lëndën Anglisht 1, e jo në atë të Kimisë analitike”, u përgjigj eksperti në pyetjen e Veton Rrecaj, avokati i të akuzuarit Jashar Velija.
Eksperti Borovci shpjegoi mënyrën se si është bërë ekspertiza në këtë rast dhe aparatura që është përdorur.
Ndërsa në pyetjen e av. Rrecaj se a ka pas ne këtë rast falsifikim të plotë apo të pjesshëm, eksperti Borovci u drejtua duke thënë se “kjo pyetje është absurde”.
Po ashtu eksperti deklaroi se “ne e kemi pranuar Indeksin e Velijaj si dëshmi dhe e kemi konsideruar komplet si dëshmi”.
Eksperti në fund tregoi se mbështet ekspertizën e dhënë në lidhje me këtë rast.
Prokuroria Themelore në Prishtinë në rastin e studentëve të Fakultetit të Farmacisë ka ngritur aktakuzë ndaj Arjana Begollit, Floriana Radoniqi-Pirevës, Jashar Veliut, Trim Shalës, Albulena Dervishit, Ardiana Konjushit dhe Dilek Kastratit.
Prokuroria akuzon grupin e studentëve se në vitin 2009 pasi që më parë janë marrë vesh mes veti, në bashkëpunim e me qëllim të shfrytëzimit, duke falsifikuar kanë ndërhyrë në dokumentet publike-indekset e tyre duke përshkruar notën në lëndën Kimi Analitike II.
Sipas prokurorisë këta studentë po ashtu kanë falsifikuar edhe nënshkrimin e profesorit të lëndës përkatëse.
Aktakuza ngarkon të njëjtin grup se me qëllim të vërtetimit të çështjes së pavërtetë kanë mashtruar personin zyrtar- referenten e Fakultetit të Mjekësisë – Dega Farmaci, duke përdorur edhe notën e falsifikuar për të regjistruar vitin e tretë të studimeve.
Në këtë rast, përveç Jashar Velisë, të akuzuarit tjerë e kanë pranuar fajësinë, dhe për ta shpallja e aktgjykimit do të bëhet të hënën.