Ekonomia e Kosovës u Rrit mbi Themele të Lëkundura

Rritja prej 2.7 për qind e ekonomisë së Kosovës për vitin 2014, është vlerësuar me tone jo-optimiste nga banka qendrore e vendit.

Diçka e tillë u vu re gjatë mbledhjes së Komisionit për Buxhet dhe Financa, ku u bë edhe shqyrtimi i raportit të punës së Bankës Qendrore për vitin 2014.

Gjatë prezantimit të këtij raporti, u theksua se kjo rritje ishte mundësuar nga rritja e pagave në sektorin publik, (si rrjedhojë) rritja e huadhënies nga bankat të kredive për konsum dhe dërgesat e emigrantëve, ndërsa investimet e huaja pësuan një rënie drastike prej rreth 50 për qind.

Raporti i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) u prezantua nga guvernatori i saj, Bedri Hamza, i cili tha se ekonomia e Kosovës gjatë vitit 2014 kishte arritur të mbajë stabilitetin ekonomik.

“Sipas vlerësimeve tona, ekonomia e vendit në vitin 2014 shënoi normë reale të rritjes prej 2.7 për qind, rritje kjo e bazuar në vlerësimin dhe rritjen e konsumit, përderisa investimet dhe eksportet neto kishin ndikim negativ në rritjen ekonomike”, tha Hamza.

Sipas tij, faktorët që ndikuan në rritjen e konsumit të përgjithshëm ishin rritja e pagave në sektorin publik, rritja e remitencave dhe rritja e kredive konsumuese e sektorit bankar, por tha se investimet e huaja direkte kanë shënuar rënie.

Ai theksoi se duhet të punohet nga vetë vendorët. “Mbulueshmëria e importeve me eksporte mbetet në nivel prej 13 për qind, e ritheksoj nevojën e prodhimit vendor që të ketë një zëvendësim të eksporteve”, tha Hamza.

Sipas raportit, investimet e huaja në Kosovë gjatë 2014-tës kapin vlerën e 123.9 milioën euro përderisa në vitin paraprak ishin 250.2 milionë euro.

Ndër të tjera, raporti thotë se borxhi publik në Kosovë është 582.9 milionë euro, ndërsa në 2013-n ishte 476 milionë euro. Anëtarët e Komisionit për Buxhet dhe Financa me kryesuesin Naser Osmani, e votuan unanimisht raportin vjetor të BQK-së.

Rritje e “falsifikuar”

Rritja e pagave të punonjësve në sektorin publik është financuar nga ky borxh në rritje i shtetit të Kosovës.

Ndërkaq, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në deklaratën përmbyllëse të vlerësimit të ekonomisë së Kosovës, publikuar në 30 mars 2015, thekson pikërisht mbipunësimin në sektorin publik si një ndër rreziqet për qëndrueshmërinë e ekonomisë së vendit.

Në konkluzionet e misionit të FMN-së në Kosovë, vërehet se rritja e madhe e pagave dhe përfitimeve nga autoritetet e Kosovës gjatë 2014-s, u realizua me “shkurtime të thella në shpenzime shumë të nevojshme kapitale”.

Me fjalë të tjera, shpenzimet kapitale janë investimet publike që janë sakrifikuar për të rritur pagat.

Investimet konsiderohen si një shtyllë e rëndësishme e rritjes ekonomike të qëndrueshme, përkundër shpenzimeve të publikut apo ato operative të qeverisë, të cilat, përgjithësisht nuk garantojnë jetëgjatësi të prosperitetit ekonomik.

“Këtë vit, efekti i plotë i këtyre angazhimeve të mëdha, bashkë me shpenzime më të larta mbi Rrugën 6 [Autostrada Prishtinë – Hani i Elezit], pritet ta shtyjnë deficitin buxhetor përtej kufirit të rregullit fiskal”, tha FMN.

Rritja e pagave në fjalë, që mundësoi rritje të shpenzimeve nga popullsia, dhe si rrjedhojë rritje të ekonomisë, është e paqëndrueshme dhe jetëshkurtër.

Në parim, qeveria ka nxjerrë para nga një xhep për t’i futur në tjetrin, duke rritur borxhin publik për të rritur paga dhe shpërblime për punonjësit publikë.

Ky borxh do të duhet të paguhet sërish nga fonde të qeverisë, të cilat janë taksa, të ardhura nga privatizimet e të tjera të hyra, të cilat mbeten në thelb para publike, pasuri të qytetarëve të Kosovës.

Qytetarët e Kosovës, në thelb, do të paguajnë për rritjen e pagave që një pjesë e tyre përfituan, në vend që këto të ardhura të përdoreshin për investime dhe shpenzime të tjera të nevojshme.

Për më tepër, si pjesë e reformave të dakordësuara me FMN-në, qeveria parashikohet të kufizojë me ligj rritjen e pagave në sektorin publik, ndërsa zërat për shkurtime të vendeve të punës në të njëjtin sektor, vijnë duke u shtuar.

Në fakt, më 9 qershor të këtij viti, qeveria e Kosovës arriti një marrëveshje me FMN-në për një financim prej 185 milionë eurosh për programin e “reformave ekonomike”.

Ministri i Financave Abdullah Hoti pohoi se Kosova me FMN-në është pajtuar edhe për “rishikimin e buxhetit në fund të vitit 2015 dhe buxhetin për vitin 2016”, Ligjin për Pagat dhe strukturën e buxhetit për shpenzimet aktuale dhe kapitale.

Kjo marrëveshje erdhi vetëm pas dy muajsh nga çasti që në rekomandimet e misionit, FMN vërejti se “një rregull i qartë që kufizon rritjen e pagave në sektorin publik sipas treguesve specifikë ekonomikë, do të ishte një shtesë e mirë në rregullat fiskale. Autoritetet po konsiderojnë të shkojnë në këtë drejtim”.

Sipas FMN-së, rritja në Kosovë duhet të vijë medoemos nga sektori privat. Çka nxjerr në pah se rritja ekonomike vetëm nga sektori publik nuk është e qëndrueshme.

“Kufizimi i pagave në sektorin publik do t’i mundësonte kompanive private që të konkurronin në kushte më të barabarta, kur bëhet fjalë për të tërhequr punonjës të kualifikuar”, vëren FMN-ja.

Zyrtarisht, në Kosovë rreth 80 mijë persona janë të punësuar në sektorin publik, me pagë mesatare prej rreth 440 euro në muaj.

Kjo pagë është afërsisht sa dyfishi i asaj në sektorin privat, ndërsa të punësuarit në shtet llogariten më shumë se 1/3 e të punësuarve në sektorin privat dhe më shumë se 1/4 e totalit të të punësuarve, prej rreth 302 mijë personash.

Burime të pasigurta

Burimet e tjera të rritjes të përmendura nga guvernatori i BQK, të ardhurat nga emigrantët (remitancat) dhe kreditë konsumuese, po ashtu nuk përbëjnë themele të shëndosha për rritjen ekonomike.

Sipas raportit vjetor të BQK për vitin 2014, kreditë familjare shënuan një rritje “të përshpejtuar prej 12.7 për qind” krahasuar me vitin 2013, përkundër rritjes së kreditimit për ndërmarrjet, vetëm në nivelin 2.1 për qind.

“Përshpejtimi i rritjes së kredive për ekonomitë familjare mund të jetë nxitur nga rritja e pagave për shërbyesit civilë”, shkruhet në raport.

Çështja është se kreditë e marra – bazuar në rritjen e përkohshme të pagave – do të duhet të paguhen, çka mund të përkthehet në tkurrje të konsumit në të ardhmen e afërt, duke qenë se pagat nuk do të vazhdojnë të rriten.

“Vendimi për t’i mbajtur pagat e sektorit publik në buxhetin 2015 në nivelet e vitit 2014 ishte i përshtatshëm dhe duhet të vazhdojë”, tha FMN.

Për më tepër, “kreditë konsumuese”, nga vetë natyra dhe emri, nuk shkojnë për investime, por thjesht për shpenzime të atypëratyshme apo afatshkurtra, ndaj dhe nuk kanë impakte pozitiv në afatin e gjatë (nuk përkthehen në rritje të të ardhurave për huamarrësin si rrjedhojë e përdorimit të tyre).

Gjithashtu, të ardhurat nga emigrantët janë të paparashikueshme sesi mund të luhaten nga viti në vit.

Kjo përforcohet edhe nga rimëkëmbja e ngadaltë e ekonomive europiane dhe rreziqe të mundshme të së ardhmes së afërt – sidomos nga mundësia e ndikimit të krizës greke mbi vende të tjera – që nuk japin garanci afatgjata për këtë burim të ardhurash.

Investimet, të cilat do të ishin një shtyllë e domosdoshme e rritjes së qëndrueshme të ekonomisë së Kosovës janë në rënie prej 126 milionë eurosh nga viti 2013 në 2014-n, sipas ministrit të Financave.

Ndërkaq, 185 milionë eurot e marrëveshjes Kosovë-FMN ende nuk dihet në mënyrë të detajuar se për çka do të përdoren.