Ramush Haradinaj - Kryeministër në dorëheqje

Edhe në dorëheqje, Haradinaj insiston në paprekshmërinë e kufijve

“Kufijtë e Kosovës nuk guxon t’i prekë askush”, ka qenë paralajmërimi i fundit i kryeministrit në dorëheqje, Ramush Haradinaj.

Këtë gjë ai e deklaroi sapo u kthye nga Haga.

Atje, Haradinaj u mbrojt në heshtje pas ftesës që mori nga Gjykata Speciale për intervistim në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.

Ftesa për intervistim ishte ajo që e shtyri atë që të jap dorëheqje nga kreu i Qeverisë së Kosovës.

Haradinaj në vazhdimësi ka qenë i zëshëm kundër idesë për “korrigjim të kufirit me Serbinë”, ide kjo e shfaqur nga Presidenti i vendit Hashim Thaçi, vitin e kaluar.

Thaçi e Haradinaj si për shumë çështje të tjera, kanë kundërthënie posaçërisht për temën e kufijve.

Ndonëse, mbajtja e Samitit të Berlinit në fund të prillit, me nikoqirë kancelaren e  Gjermanisë Angela Merkel dhe presidentin Francës, Emanuel Macron, që mblodhi liderët e Ballkanit Perëndimor, u tha të jetë mbyllja përfundimtare e diskutimeve për kufij.

“Jemi pajtuar që të mos pajtohemi”, ishte përshkrimi i presidentit Hashim Thaçi për Samitin e Berlinit, dhënë pas darkës joformale ku u diskutua për të ardhmen e Kosovës dhe Serbisë.

Ndërsa, Haradinaj pas këtij takimi, tha se janë marrë vesh që të mos diskutohet më për çështjen e kufijve.

“Dje ka qenë një dakordim i të gjithëve që s’do të ketë diskutim më tutje për territor dhe kufij, por bisedimet do të bëhen për njohje reciproke”, tha Haradinaj në një paraqitje publike nga kryeqyteti gjerman në prill të këtij viti.

Por edhe më tej, presidenti Thaçi nuk është zmbrapsur nga ideja e tij.

Kryetari i shtetit është zotuar se do ta jetësojë zotimin e tij që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës, përderisa ka mohuar kategorikisht shkëmbime të komunave kosovare me Serbinë.

Por Haradinaj edhe pse kryeministër në dorëheqje, në pothuajse të gjitha paraqitjet e tij publike po e kundërshton “ndarjen e Kosovës”.

Të enjten mbrëma ai përmes rrjetit social Facebook, Haradinaj ka shkruar se pafajësinë e tij nuk mund ta vë në pikëpyetje askush, ndërsa ka përmendur marrëveshjen me Serbinë, kufirin dhe taksën.

Kryeministri në dorëheqje Ramush Hardinaj, pas kthimit nga Haga 25 korrik 2019, Foto: Ramush Haradinaj Facebook

“Vendimi im për dorëheqje dhe veprimet e mia të fundit janë porosi se çfarëdo abuzimi ndaj Kosovës, që vjen, nuk do të na lëkundë nga e drejta jonë sovrane. Kufijtë e Kosovës nuk guxon t’i prekë askush. Kosovës nuk mund t’i imponohet Dodik Republika. Tregu për njohje po, e taksa deri në njohje. Dialog pa kushte, po menjëherë”, ka shkruar kryeministri në dorëheqje.

Tërthorazi për çështjen e kufijve, Haradinaj u deklarua sërish dy ditë më parë edhe nga Haga në Holandë, kur shkoi për intervistim në Dhomat e Specializuara.

“Jemi për dialog pa kushte pra dhe menjëherë jemi për një marrëveshje për njohje me Serbinë. Tregu për njohje kuptohet, jo formula të tjera që janë të pa përballueshme për Kosovën”, u shpreh ai para gazetarëve.

Mesazhi për kufijtë ishte pjesë e fjalimit të Haradinajt në ditën e dorëheqjes së tij nga pozita e kryeministrit, me 19 korrik 2019.

Ai para kabinetit qeveritar tha se Kosova është e paprekshme.

“Shteti im është Kosova, Kosova e paprekshme, në multietnicitet, në shumë gjuhësi, në territor e kufij. Kosovës i bëhet presion i padrejtë për çmimin e njohjes nga Serbia. Ndarja apo ‘Dodik-Republika’ janë të papërballueshme për Kosovën edhe stabilitetin në rajon”, ishte shprehur kryeministri në detyrë.

Sipas Haradinajt, Bashkësia Ndërkombëtare po bën gabim që po insiston “në çmimin të papërballueshëm për Kosovën, për njohjen”.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq – Foto: REL/Courtesy Photo

Çështja e kufijve të Kosovës me shtetet fqinje vazhdimisht ka qenë krye temë e qeverisjeve të fundit të vendit.

Qeveria e kaluar në krye me Isa Mustafën e LDK-së, kishte bërë përpjekje që të kalojë marrëveshjen për shënjimin e kufirit të Kosovës me Malin e Zi, si kusht i vënë nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave për kosovarët.

Ky vendim nuk u arrit të merret, për shkak të kundërshtimit të ashpër opozitar me pretendimet se Kosova po i falte tokë Malit të Zi.

Më tej kishte pasuar, rrëzimit të Isa Mustafës me mocion mosbesimi, thirrur nga partitë opozitare por edhe me përkrahjen e PDK-së, e cila atë kohë ishte në koalicion qeverisës me LDK-së.

Por Ramush Haradinaj i cili ishte treguar shumë i ashpër për Demarkacionin me Malin e Zi, në 2017-n sapo mori pozitën e kryeminsitrit të Kosovës ristrukturoi një komision të ri shtetëror që sipas tij do të rishikonte marrëveshjen.

Ky version i marrëveshjes, me gjithë pakënaqësitë opozitare mori votat e nevojshme për miratim në Kuvendin e Kosovës.

Megjithëkëtë, sot e asaj dite nuk janë bërë hapa për rishikimin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi, e as nuk është siguruar lëvizja e lirë për kosovarët.

Në anën tjetër, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka stagnuar për shkak të pakënaqësisë së palës serbe pasi Qeveria e Kosovës vitin e kaluar vendosi taksë 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe boshnjake.