E Detyruan të Grabisë Bankën?

Nën kushtet e kanosjes dhe ushtrimit të dhunës, viktimat mund të detyrohen të kryejnë veprime që shkojnë kundër vullnetit dhe moralit të tyre, përfshi këtu edhe vepra kriminale.

Por rasti Xhelal Azizit është i veçantë. Ai pretendon se në këto kushte të jashtëzakonshme, e kanë detyruar të grabisë një bankë.

Ky rast u bë i ditur sot në seancën fillestare të Gjykatës Themelore në Ferizaj, ku i akuzuari u deklarua se nuk ndihet fajtor pas leximit të aktakuzës nga prokurorja e rastit Florije Salihu-Shamolli.

Sipas avokatit të tij mbrojtës, Jeton Berisha, caktuar sipas detyrës zyrtare, Azizi akuzohet për veprën penale të grabitjes, por se sipas tij, kjo vepër është kryer nën ndikimin e forcës.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj të mbrojturit tim, për shkak të veprës penale grabitje. Gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor, i mbrojturi im nuk e ka pranuar fajësinë sepse i njëjti ka deklaruar se këtë vepër e ka kryer i ndikuar nga dhuna apo kanosja e papërballueshme”, tha Berisha

Sipas Berishës, në këto kushte mund të mos bëhet fjalë për vepër penale.

“Sipas Kodit Penal të Kosovës, një vepër që kryhet nën ndikimin e dhunës dhe kanosjes, nuk përbën vepër penale”, tha Berisha.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Ferizaj shkruan se duke vepruar si anëtar i grupit kriminal, Xhelal Azizi ka grabitur filialin e bankës PCB në Ferizaj, më datë 9 qershor 2008.