Dy Familje në Vitomiricë Pa Rrymë që Pesë Ditë

Më 25 qershor era e fortë që fryu edhe në Vitomiricë të Pejës rrëzoi një shtyllë elektrike mbi një kiosk, duke rrezikuar një 16 vjeçare që po shiste produkte të ndryshme në të.

E ëma e të miturës rrëfen për KALLXO.com frikën e para pesë ditëve.

“Ishte kohë e keqe ditën e martë të javës së kaluar e që 6 ditë nuk kemi rrymë, e kur ka ra banderi mbi trafikë na ka rreziku shumë, sidomos vajzën time 16 vjeçare e cila në atë moment ka qenë brenda trafikës”, thotë Sejdefa Isoviq nga Vitomirica.

Ajo tregon se punëtorë të KEDS-it kanë dalë të nesermen në terren për t’u marrë me shtyllën.

“Kanë ardhë ata të KEDS-it, i kanë këputë telat e na kanë thanë se s’ka rrymë njëherë se ka mungesë të shtyllave elektrike. Bile ata na kanë thënë se ne duhet me i hapë gropat vetë”, shpjegon Isoviq.

Era e njëjtë këputi atë ditë edhe një shtyllë tjetër telat e së cilës ranë në oborrin e shtëpisë së Enver Çunit. Çuni teksa tregon se kjo i rrezikoi tërë familjen, konfirmon gjithashtu ardhjen e ekipeve të KEDS-it vetëm për ta ndalur rrymën.

“Jo veç ken e kputën edhe shkunë këta të Elektrokosovës. Thanë se s’kemi  bandera, kur t’i bimë banderat e lshojmë strujën”, tha Çuni.

Kastriot Gashi drejtor i Distriktit të KEDS-it në Pejë tha se për të gjitha çështjet ku përfshihen mediet duhet drejtuar qendrës së kompanisë shpërndarëse të energjisë në Prishtinë.

Sejdefa Isoviq thotë se zyrtarë të KEDS-it i kanë thënë që ajo dhe familja e saj mund të rrinë pa rrymë edhe një javë, pasi vetëm pas një jave do të rregulohen shtyllat.

Por Guri Shkodra, zyrtar për media në KEDS-s përmes postës elektronike i ka thënë KALLXO.com-it se gjendja në Vitomiricë do të sanohet brenda ditës së sotme.

Ai është ankuar se kompania ka trashëguar një rrjet të vjetruar të shpërndarjes.

“Për shkak të erërave të fuqishme gjatë javës së kaluar ditë me radhë jemi ballafaquar me prishje të njëpasnjëshme në rrjetin e distribuimit dhe furnizimit me energji elektrike. KEDS-i e ka trashëguar rrjetin distributiv të vjetruar dhe në gjendje shumë të rëndë që në disa raste nuk mund të përballojë erërat e forta, aq më shumë erërat me të cilat jemi përballur”, është arsyetuar Shkodra.

Sejdefa Isoviq ankohet se mungesa e energjisë elektrike i ka shkaktuar edhe dëme.

“Unë jetoj prej këtij kiosku dhe të gjitha akulloret, jogurtat,  e të gjitha pijet që duhet me i rujtë në friza më është dashur që t’i humb, pasi që janë prishur, bile edhe 9 kilogram mish më është dashur që t’i humb”, thotë Isoviq.

Dëmet i përmend edhe Enver Çuni.

Por Guri Shkodra mendon se gjendja do të ndryshojë për mirë.

“Projektet investuese janë intensifikuar deri tani dhe do të intensifikohen edhe më shumë në të ardhmen. Kjo punë do të përshpejtohet më qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më cilësore me energji elektrike për qytetarët në tërë territorin e Republikës së Kosovës në bazë të planit strategjik të investimeve”, thotë Shkodra.

Ukë Selimaj, drejtor për Punë Komunale dhe Shërbime Publike në Komunën e Pejës fajin për këto dëme dhe mungesë rryme ia lë vetëm KEDS-it.

“Nuk është përgjegjësi e komunës por vetëm e KEDS-it kjo problematikë dhe vetëm kjo kompani duhet të ndërhyjë”, thotë Selimaj.