Drejtori i Shkollës Pranon Fajësinë për Përdorim të Armës
Një zënkë mes një punëtori teknik, vëllait të tij dhe drejtorit të Shkollës “Afrimi e Fahriu” në Luzhan të Podujevës, ku u përdor si kërcënim edhe arma e zjarrit përfundoi në gjykatë të enjten. Drejtori Sheqir Krasniqi pranoi fajësinë për kërcënim me armë, ndërsa dy vëllezërit që i hynë atij në zyrë thanë se nuk kanë bërë asgjë.
Sheqir Krasniqi, drejtori i Shkollës “Afrimi e Fahriu” në Lluzhan të Podujevës pranoi fajësinë për përdorim të armës si mjet kërcënues në seancën fillestare e cila u mbajt në Gjykatën Themelore në Prishtinë të enjten.
“Shprehi keqardhje për atë që ka ndodhë , ka ndodhur pa dashje për çka jam frikësuar. Pa qëllim më është dashur që të nxjerri armën. Kërkoj falje dhe premtoj se kurrë nuk në të ardhmen nuk do të ndodhë që të bie ndesh me ligjin”, tha drejtori në gjykatore.
Me drejtorin po akuzohet në këtë rast për kanosje punëtori teknik i kësaj shkolle Jeton Durmishi. Edhe vëllai i këtij të pandehuri, Përparim Durmishi është pjesë e këtij procesi gjyqësor. Ai akuzohet për thyerje xhami të derës kryesore të shkollës së Lluzhanit.
Sipas aktakuzës Jeton Durmishi më datën 21 janar të 2013 rreth orës 8:30 në shkollën fillore ku punon si punëtor teknik ka hyrë në zyrën e drejtorit Sheqir Krasniqi për shkak të moslejimit të ndërrimit të orarit të punës me një punëtor tjetër me ç’rast me ton të ngritur e kanos drejtorin me qëllim të frikësimit duke i thënë “do të të vras”.
Aktakuza shpjegon më tutje se në shkollë ditën kur ndodhi ky incident kishte ardhur edhe vëllai i punëtorit teknik, Përparim Durmishi. [Përparim Durmishi] më 21 janar 2013 shkon në shkollë hyn në zyrën e drejtorit dhe kur del jashtë te hyrja kryesore thyen xhamin e derës kryesore me dimensione 60x20cm”, thuhet në aktakuzë.
Drejtori Krasniqi nga prokuroria akuzohet se kërcënoi me armë punëtorin teknik të shkollës që drejton, por edhe të vëllanë e këtij punëtori.
“Gjatë një mosmarrëveshjeje me punëtorin teknik Jeton Durmishin rreth orarit të punës [Sheqir Krasniqi] ka përdorur armën në mënyrë kërcënuese dhe frikësuese ndaj punëtorit Jeton dhe pas pak kohe edhe ndaj Përparim Durmishit duke ia drejtuar atë me fjalët ‘të vras dhe ti shkrepi tetë copa plumba’”, shpjegon prokuroria fajin që i ngarkohet drejtorit të shkollës.
Dy vëllezërit Durmishi, për dallim nga drejtori Krasniqi nuk e pranuan fajësinë. Thanë se ditën e incidentit nuk kanë bërë asgjë.
Gjykata, pas aprovimit nga prokurori, pranoi fajësinë e Sheqir Krasniqit. Seanca e radhës është paraparë të mbahet më 11 shtator.