Drejtori i Drejtorëve të Spitaleve e Mëson Arrestimin e Vartësit në Media

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Curr Gjocaj, e ka të vështirë të dijë se ç’po ndodh në spitalet nëpër Kosovë dhe me vartësit e tij.

Edhe arrestimin e drejtorit të spitalit të Gjilanit, Abdylatif Latifi, shefi i SHSKUK e mësoi përmes medias.

Mediat në Kosovë dje raportuan se Latifi pasi dha dorëheqjen u arrestua për asgjësimin në kushte të papërshtatshme të një sasie të madhe barnash dhe produktesh të tjera mjekësore.

“Nëpërmjet medieve jemi informuar për arrestimin dhe mesa kuptova bëhet fjalë për çështjen e asgjësimit të disa barnave”, tha Gjocaj.

I pyetur sesi mund të ndodhte kjo, duke qenë se ai ishte drejtori i përgjithshëm, Gjocaj dha një përgjigje koncize.

“Epo qeshtu kur është shkeptë”, vërejti ai.

As ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, nuk kishte informacione të detajuara për arrestimin dhe tha se nuk dispononte një raport zyrtar.

Por ai thotë se e ka një raport të inspektoriatit i cili flet se ka pasur asgjësime të produkteve mjekësore.

“Unë e kam raportin zyrtar të mjeteve që janë shkatërru me emër e mbiemër të listës. Ka pasur barna ka pas aparaturë material harxhues nuk kam hy me elaboru në bazë të udhëzimit administrativ se a kanë bërë dëm atë po e bëjnë të tjerët, sigurisht mbi bazën e asaj është bërë edhe veprimi i organeve të ndjekjes”, tha Rrahmani.