Donacionet: Qendra të Posaçme për Fëmijët me Sindromën Down dhe Autizëm

Dhurimet mundësojnë ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme për të trajtuar me mijëra fëmijë që vuajnë nga këto çrregullime.

Më shumë se 200 mijë euro janë mbledhur për ndërtimin e qendrave përkatëse për “Down Syndrome Kosova” dhe Shoqatën e Autizmit.

Këto të dhëna u bënë publike nga vetë këto dy organizata, të cilat gjatë këtij muaji organizuan mbrëmje humanitare, me qëllim të mbledhjes se fondeve për ndërtimin e këtyre qendrave.

Sipas drejtores së shoqatës “Down Syndrome Kosova”, Sebahate Hajdini-Beqiri, nisma për ndërtimin e kësaj qendreje kishte ardhur për të përmbushur nevojat e shërbimeve për fëmijët e prekur me sindromën Down dhe Autizëm, si dhe duke parë mungesën e stafit profesional.

“Në kuadër të mbrëmjes të organizuar nga ‘Down Syndrome Kosova’, vlera e mjeteve të grumbulluara deri më sot, është 60,480 euro. Në këtë vlerë kanë kontribuar 165 persona, duke përfshirë qytetarë të thjeshtë, përfaqësues të institucioneve dhe përfaqësues të bizneseve, si dhe qytetarët e diasporës”, tha ajo.

Beqiri tha se përkundër shumës në të holla, janë ofruar edhe shërbime dhe materiale ndërtimore, e po ashtu janë ofruar edhe shërbime shëndetësore.

Ndërsa drejtori i Shoqatës së Autizmit, Cenë Krasniqi, tha se organizimi i këtyre dy mbrëmjeve është vetëm fillimi i realizimit të nevojave të këtyre komuniteteve.

“Në mbrëmjen e organizuar nga shoqata ‘Autizmi’, janë premtuar 228 mijë euro, kurse të realizuara deri më tani janë rreth 170 mijë euro”, tha Cena.

Gjithashtu, drejtorja e DSK-së, tha se javën e ardhshme, dy shoqatat do të takohen me kryetarin e komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, për të diskutuar rreth parcelës së premtuar nga Komuna e Prishtinës.