Donacione nga Amerika për Shëndetësinë Kosovare

Fondacioni amerikan “Project HOPE” ka premtuar donacione dhe ndihmë më të madhe për shëndetësinë kosovare.

Presidenti i Fondacionit Thomas Kenyon vizitoi sot Ministrinë e Shëndetësisë dhe Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (SHSKUK).

Gjatë vizitës në ministri, Kenyon tha se populli amerikan përmes projektit “Hope” ka qenë në gjendje të ofrojë përkrahje për shëndetësinë e Kosovës.

“Ne do të vazhdojmë të ofrojmë përkrahje për sistemin shëndetësor të Kosovës me vullnetarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët mund të vijnë dhe të punojnë me përfaqësues shëndetësorë, por edhe të ofrojmë pajisje mjekësore që mund të sigurojnë shërbime shëndetësore”, tha Kenyon.

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani,tha se “Project Hope” e ka ndihmuar shëndetësinë në Kosovë me mbi 40 milion dollarë për barna dhe material harxhues.

“Mjetet këto që deri më tash na kanë mundësuar që buxhetin tonë jo të mjaftueshëm për shëndetësi ta orientojmë në prioritete të tjera”, tha Rrahmani.

Gjatë vizitës së Kenyon në SHSKUK, Drejtori i Shërbimit Klinik Spitalor të Kosovës Curr Gjocaj tha se pas analizave të gjendjes dhe nevojave, nevojiten rreth 30 milionë euro.

Sipas tij, për të plotësuar në tërësi kërkesat për furnizim me barna dhe material shpenzues nevojiten edhe 5 milion euro shtesë, por edhe donacione të vazhdueshme.

Nga 1 janari deri në fund të muajit nëntor, “Project Hope”, ka ndihmuar SHSKUK-në me barna dhe material shpenzues në vlerë prej 2,890,000 euro.