Diskutimi për Gjykatën Speciale të Premten e Ardhshme në Kuvend

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka caktuar dy seanca parlamentare të cilat do të mbahen gjatë javës së ardhshme. Në të parën do të shqyrtohet pakoja e projektligjeve që lidhen me liberalizimin e vizave, e në të dytën amendamentet dhe draft-ligji për Gjykatën Speciale.

Kryeparlamentari Kadri Veseli tregoi se për Gjykatën Speciale do të diskutohet në Kuvend të premten e ardhshme.

“Ka pasur një kërkesë nga AAK-ja edhe për Projektligjin për Forcat e Armatosura. Po ashtu është përmendur edhe përkrahja financiare e atyre që do të akuzohen në Gjykatën Speciale dhe po ashtu edhe draft-ligjin për këtë gjykatë, e kemi në të njëjtën ditë”, tha Veseli.

I pari i kuvendit tha se shpreson në një konsensus të subjekteve politike për të votuar themelimin e Gjykatës Speciale.

Mbështetje për krijimin e Gjykatës Speciale dhanë edhe dy shefat e grupeve parlamentare të cilët janë në koalicion qeverisës.

“Kjo çështje për mua nuk me lejon të bëj politikë sepse kemi të bëjmë me një çështje që i tejkalon përmasat e grupit, individit  apo të politikës. Kemi të bëjmë me një vlerë kombëtare, kemi të bëjmë me luftën tonë çlirimtare”, tha Grabovci.

Ai madje rikujtoi dhe tha se krijimi I gjykatës është votuar me 23 prill dhe sipas tij aty janë marrë shumica e votave të deputetëve.

Ndërsa Ismet Beqiri nga LDK-ja, tha se deputetët e Kosovës duhet të votojnë për krijimin e Gjykatës Speciale.

“ Duhet të votojmë dhe të mos lejojmë që të shkojë kjo çështje atje ku kemi shumë armiq. Ne do të votojmë përsëri sikurse kemi votuar vitin e kaluar dhe është bërë e patejkaluar krijimi i Gjykatës Speciale”, tha Beqiri.

Por deputetët e opozitës, të premten dolën kundër themelimit të Gjykatës Speciale.

“Po na krijohet një gjykatë në Kosovë e cila për nga definicioni përjashton trajtimin e krimeve të shtetit të Serbisë që kanë ndodhur në Kosovë”, tha deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje” Glauk Konjufca.

Kjonufca tha se do t’i bashkërendisin veprimet me opozitën për të kundërshtuar krijimin e Gjykatës Speciale, ndërsa nuk mohoi dhe as nuk pohoi se do të ketë protesta.

Deputeti i AAK-së Pal Lekaj tha se për subjektin e tij politik është e papranueshme dhe sui generis krijimi i Gjykatës Speciale.

I pyetur nëse AAK-ja ka njohuri se dikush nga ky subjekt mund të ballafaqohet me Gjykatës Speciale , Lekaj tha se këto janë spekulime.

“Mendoj që Aleanca dhe luftëtarët e lirisë asnjëherë nuk i kanë ikur përgjegjësisë, por kanë dëshmuar se ballafaqohen dhe lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë”, tha Lekaj.

Në muajin mars, pasi Qeveria miratoi dy amendamentet kushtetuese që i bëjnë vend Gjykatës Speciale në Kushtetutë, Kryesia e Kuvendit vendosi që ato t’i dërgojë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim kushtetutshmërie.

Më 15 prill Gjykata Kushtetuese bëri të ditur se amendamentet nuk i pakësojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, duke i dhënë vizë ndryshimit të Kushtetutës.

Kushtetutës së vendit për ta themeluar Gjyjkatën Speciale pritet t’i shtohet neni 162 për dhomat e specializuara dhe prokurorin e specializuar të kësaj gjykate.