Dialogu i Vjetër me Drejtues të Rinj

Të dy kryeministrat, ai i Kosovës Isa Mustafa dhe i Serbisë  Aleksandër Vuçiq, do të ulen nesër në takimin e tyre të parë formal në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Takimi që është ftuar nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, zhvillohet në kuadër të dialogut politik për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Për Mustafën dhe Vuçiqin, ky do të jetë takimi i parë që drejtojnë delegacionet respektive, ndërsa për Mogherinin hera e parë që hyn në mes të armiqve të dikurshëm që mundohen ta lënë anash të kaluarën të joshur me perspektivën e integrimit në BE.

Ndërsa dy drejtuesit e dikurshëm të delegacioneve, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq do të jenë përsëri në tavolinë, tani si ministra të punëve të jashtme.

Analistët kosovarë thonë se dialogu do të vazhdojë, pavarësisht problemeve të brendshme me të cilat po përballen si qeveria e Kosovës ashtu edhe ajo e Serbisë.

Sipas analistit Halil Matoshi, në takimin e së hënës pritet të kthehen në tavolinën e bisedimeve çështjet që kanëmbetur pezull nga takimi i fundit të mbajtur vitin e kaluar.

“Të dyja vendet i kanë punët ngushtë në shtëpi. Do të arrihen marrëveshje për gjykatën në veri të Mitrovicës, për  Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe dhe për hekurudhat e telekomunikimet”, tha analisti Halil Matoshi për KALLXO.com.

Ai nuk pret që në këtë fazë të bisedimeve të përmenden rastet e Aleksandar Jabllanoviqit dhe ai i Trepçës, të cilat tronditën politikën dhe opinionin kosovar javëve të fundit.

Sipas tij, do të ketë përpjekje që dialogu të jetë më serioz.

Kurse analistja Besa Luzha duke folur për ndryshimin e kryesuesve të dialogut, ka thënë se do të ishte shumë e natyrshme që dialogu i tanishëm, të jetë ndryshe, si në përmbajte, ashtu edhe në formë.

“Pres që gabimet që janë bërë gjatë proceseve të mëparshme duke qenë vazhdimisht në pozitë që vetëm të reagojnë në agjendën e vendosur nga Serbia, të përmirësohen dhe agjenda të vendoset nga Kosova, duke prioritizuar çështjet me rëndësi, dhe duke kërkuar me ngulm nga Serbia që të mos pengojë zhvillimin dhe funksionimin normal të shtetit, siç kanë bërë deri më tani”, tha Luzha për KALLXO.com.

Për dallim nga Matoshi, Luzha thotë se pret që çështja me Listën Serbe të sqarohet mirë, dhe t’i kërkohet këtij subjekti që “të sillet si subjekt politik i Serbëve të Kosovës”, që i jep llogari vetëm institucioneve të Kosovës, e jo atyre të Serbisë.

Për më tepër, ajo pret që çështjet që kanë të bëjnë me Listën Serbe dhe Trepçën, të imponohen si pika të dialogut nga ana e Serbisë.