Dhjetë Vjet Nëpër Gjykata për Gurët e Mezhdave

Një kontest pronësor që po zhvillohet që dhjetë vjet për mezhda për dy kushërinjve Bekë dhe Islam Hebibi nga Juniku ka acaruar marrëdhëniet mes tyre. Bekë Hebibi thotë se ia ka ndaluar punimet kushëririt të tij, pasi ka tejkaluar mezhdën.

“Ka filluar me ndërtu kushërini Islam Hebibi në pronën time. Ia kam ndërprerë punën, i kam thënë mos puno… m’ka paditë në gjykatë,” ankohet Bekë Habibi.

Por djali i Islam Hebibit, Besmiri e thotë të kundërtën.

“Kjo pronë as që është konsideruar ndonjëherë kontestuese dhe në momentin e ndërtimit të themeleve të shtëpisë e kemi thirrur Bekën qe të jetë prezent se mos ka ndonjë vërejtje. Njejt kemi vepruar edhe kur kemi filluar ndërtimin e murit ndarës. Ekzistojnë gurët  të cilët gurë janë pranuar nga të dyja palët si kufiri në mes pronave tona  që nga koha kur të paret tanë janë ndarë,” thotë Besmir Hebibi.

Lënda e këtij kontesti pronësor është duke u shqyrtuar në Gjykatën Themelore të Pejës-Dega në Deçan që nga viti 2005.

Bekë Hebibi bën me dije se ky gjykim po zvarritet pa arsye.

“Edhe shtyhet seanca pa asnjë arsye hiq, domethënë edhe thirrjet kur m’i dërgon gjyqtarja, m’i dërgon me vonesë. Herë më thotë hajde merri , her t’i kam dërguar, herë ia kam dërguar  avokatit,” thotë Bekë Hebibi.

Për ankesat e Bekë Hebibit, gjyqtarja e rastit Safete Tolaj thotë se nuk është njoftuar nga ai se nuk ka më avokat, kështu që ftesat për seanca një kohë i kanë shkuar avokatit.

“Ka ndodhë që avokatin e kemi njoftuar për seancë që nuk kemi pasur akoma njohuri se i njëjti [avokati] e ka terheqë autorizimin nga ai. Edhe ai sot e kësaj dite në seancë nuk e ka paraqitur tërheqjen me shkrim nga avokati i tij, por avokati na ka njoftuar se tani e tutje nuk jam më i autorizuar nga i padituri,” shpjegon gjyqtarja Tolaj.

Bekë Hebibi dyshon edhe në paanshmërinë e gjyqtares Tolaj, por gjyqtarja mohon se ai është ankuar zyrtarisht për këtë gjë.

“E kam paralajmëruar edhe në seancë, i kam thënë të paditurit [Bekë Hebibit] nëse keni ndonjë dyshim urdhëroni paraqiteni kërkesën për përjashtimin tim nga kjo lëndë. Mirëpo i njëjti në mënyrë absolute nuk ka vepruar në asnjë mënyrë në këtë formë, vetëm se kërkon jo është bërë një zvarritje, jo në këtë çështje jo në atë çështje, “ thotë gjyqtarja Tolaj.

Tolaj thotë se kontestet pronësore zgjasin shumë dhe nuk mund të shtjellohen pa shqyrtimin e të gjitha provave.