'Dezertimi' i Florent Muçajt Pamundëson Mbledhjen e Këshillit Prokurorial

Anëtari i Këshillit Prokurorial nga shoqëria civile, Florent Muçaj, ka braktisur mbledhjen e KPK-së duke e bërë të pamundur vazhdimin e saj për shkak të mungesës së kuorumit.

Duke qenë se më herët nga mbledhja ishte larguar edhe kryesuesi Sylë Hoxha, në sallë mbetën vetëm katër anëtarë, nga pesë sa duhet për ta bërë të mundur kuorumin.

Anëtarët e këshillit Prokurorial provuan ta ftojnë ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi, për të ardhur në takim, por ai u përgjigj se sot nuk mund të vijë pasi që është jashtë Prishtinës.

Puna Llugë në Këshillin Prokurorial, Kryesuesi Braktis Mbledhjen

13:39

Mbledhja e sotme e Këshillit Prokurorial të Kosovës është ndërprerë vetëm pak minuta pasi filloi.

Shkak për këtë ndërprerje u bënë mosmarrëveshjet ndërmjet ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit Sylë Hoxha, i cili është edhe kryesues i KPK-së, në njërën anë, dhe anëtarëve të këtij këshilli, Sevdie Morina e Jetish Maloku, në anën tjetër.

Hoxha kërkoi nga Morina dhe Maloku që të largohen nga salla e mbledhjes për shkak se në njërën nga pikat e rendit të ditës pritej që të diskutohej edhe për mandatet e tyre në KPK.

Sevdie Morina nuk u pajtua me këtë kërkesë të Sylë Hoxhës dhe kërkoi sqarim nga ai.

Hoxha u përgjigj se ka marrë një shkresë nga Agjencioni Kundër Korrupcionit në të cilën, sipas tij, thuhet se prania e dy anëtarëve të këshillit në mbledhje paraqet konflikt interesi.

Por Morina e Maloku nuk u pajtuan të dalin nga mbledhja edhe pas këtij sqarimi duke thënë se për mandatet e tyre në KPK është vendosur mbledhjen e kaluar kur Morina mori mandatin e vet edhe për një vit, ndërsa Maloku deri më 15 korrik të këtij viti.

Pas kësaj, Sylë Hoxha, në mënyrë demonstrative lëshoi mbledhjen gjë që shkaktoi mospajtime ndër anëtarët e Këshillit Prokurorial.

“Kjo është papërgjegjësi. Si mund të ulemi në të ardhmen në një tryezë me një njeri të tillë”, tha Jetish Maloku.

Aktualisht anëtarët e KPK-së kanë marrë një pauzë 30 minutëshe ndërsa pritet që kur të kthehen, të votojnë nëse do të vazhdojë mbledhja apo jo.