
Dëshmon i Plagosuri në Konfliktin që Përfundoi me Vrasje
Shefki Krasniqi, i akuzuari për pjesëmarrje në rrahjen e 24 shtatorit 2011 që përfundoi me vrasjen e Alban Kastratit, këtë vrasje gjatë dëshmisë së tij ia ngarkoi të miturit J. K. Krasniqi edhe vetë ishte plagosur në konfliktin e oara më shumë se tre vjetëve mes familjes së tij dhe asaj Kastrati.
Shefki Krasniqi tha në gjykatore se qëndron prapa deklarimit të tij në prokurori lidhur me këtë rast.
Ai më pas tregoi se ditën kritike në zyrën ku punonte kishte ardhur i mituri J. K., djali i vëllait të tij.
“Kanë ardhur ata qe po dojnë me me rrahë dhe po e pres këtu babin”, i kishte thënë J. K.-ja Shefki Krasniqit.
Krasniqi më pas tregoi se ishte plagosur nga të shtënat e vëllezërve Kastrati derisa po mbyllte zyrën.
Ai tha se di shumë pak për atë që kishte ndodhur më 24 shtator 2011.
“Unë shumë pak di se çka ka ndodhur në këtë rast, sepse sapo kanë ardhur vëllezërit Kastrati mua me kanë qëlluar dhe unë jam alivanosur dhe nuk kam ditur gjë veç kur e kam parë veten në kombi të policisë dhe kur kam shkuar ne spital”, tha i akuzuari.
Por ai ia la fajin për vrasjen të miturit J.K.
“J. më ka thëne se ka vrarë Albanin dhe aj e ka vrarë, sepse ia kam parë revolen dhe ka qenë afër”, tha Shefki Krasniqi.
Ai tregoi se kanë dërguar njerëz për t’u pajtuar te Kastratët.
“Hoxha dhe një person me emrin Xhevat kanë shkuar te babai i te ndjerit për me biseduar lidhur me rastin dhe kjo është bërë në odë të burrave”, tha i akuzuari.
Përveç të miturit J. K., për vrasje të Alban Kastratit që ndodhi te ish-parkingu i KNI “Ramiz Sadikut” në Prishtinë, po akuzohet edhe Kadri Krasniqi.
Në këtë proces për pjesëmarrje në rrahje përpos Shefqet Krasniqit akuzohen edhe Albert Kastrati, Nazmi Dushi e Mentor Krasniqi. Mentor Krasniqi ngarkohet edhe për armëmbajtje pa leje.
Seancat e radhës lidhur me këtë rast do të mbahen më 4 dhe 5 shkurt 2015.