Dëshmitari Tregon Si Ndodhi Avaria e Sotme Në KEK

Naser Syla, mjeku kujdestar që e ka pranuar të lënduarin e avarisë së sotme në KEK, Avni L.,tha se gjendja e pacientit është e mirë.

Ai tregon se i lënduari ka dëmtime në fytyrë për çka është dërguar në repartin maksillofacial ku do t’i bëhet intervenimi në pjesët e lënduara të fytyrës.

Sipas tij, pacienti nuk ka lëndime të cilat mund ta rrezikojnë jetën e tij.

Nga ana tjetër, kolegu i të lënduarit, Enver Gashi, thotë për KALLXO.com se përderisa ata ishin duke punuar, ka ndodhur një shtytje me presion më të madh e cila e ka lënduar kolegun e tij.

Ai tregon se nuk ka të bëjë me një shpërthim, të madh.

“Është vetëm një aksident i vogël”, tha Gashi.

15:04

Një punëtor ka mbetur i lënduar pas një avarie e cila ka ndodhur sot në KEK.

Sipas Policisë së Kosovës nuk bëhet fjalë për ndonjë shpërthim.

“Nuk ka qenë shpërthim. I lënduari është shtyrë nga presioni i një bombole, por ajo nuk ka shpërthyer”, tha një zyrtar policor.

Bëhet e ditur se i lënduari Avni I., aktualisht është duke u trajtuar në QKUK.