Dëshmitari: Shtabi i Ushtrisë Serbe të Bosnjës nuk Urdhëroi Vrasjet në Srebrenicë

Një zyrtar i kohës së luftës në selinë qendrore të Ushtrisë Serbe të Bosnjës tha në gjykimin e Ratko Mlladiqit në Hagë se nga kjo seli nuk u dërgua ndonjë urdhër për të kryer krime kundër boshnjakëve të Srebrenicës.

Duke dëshmuar në mbrojtje të Mlladiqit në Gjykatën e Hagës ditën e mërkurë, operatori kryesor i komunikimeve në selinë qendrore të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Tihomir Stevanoviq, mohoi që shefi i tij ushtarak të ketë urdhëruar masakrat e boshnjakëve nga Srebrenica në korrik të vitit 1995.

Stevanoviq tha në gjykatë se Mlladiqi nuk ishte në selinë kryesore në Han Pijesam nga 15 korriku 1995 dhe se ai nuk dha urdhra.

I pyetur nga avokati i Mlladiqit, Dragan Ivetiq, nëse shërbimet e tij të komunikimit u përdorën për të transmetuar ndonjë urdhër në lidhje me ndonjë krim, Stevanoviq u përgjigj: “Absolutisht jo.”

Mlladiq, ish-komandant i Ushtrisë Serbe të Bosnjës, akuzohet për organizim dhe ekzekutim të gjenocidit në Srebrenicë, ku u vranë afërsisht 7,000 burra dhe djem boshnjakë. Vrasjet ndodhën pas pushtimit të Srebrenicës, një enklave të mbrojtur nga OKB-ja, nga Ushtria Serbe e Bosnjës më 11 korrik 1995.

Mlladiq është akuzuar gjithashtu për persekutimin e boshnjakëve dhe kroatëve, gjë e cila dyshohet se arriti shkallë gjenocidi në disa komuna, terrorizim të popullsisë së Sarajevës dhe pengmarrje të paqeruajtësve të OKB-së.

Gjatë marrjes në pyetje, prokurori Peter McCloskey e pyeti Stevanoviqin nëse ai besonte se “mijëra bij dhe prindër nga Srebrenica u vranë pas rënies së enklavës”.

“Nuk e di numrin e saktë, por di që disa u vranë,” u përgjigj Stevanoviq.

I pyetur nëse e pranonte se ishin vrarë me mijëra njerëz, dëshmitari u përgjigj: “Kur thoni me mijëra, kjo mund të nënkuptojë edhe 20,000. Nuk mund t’i përgjigjem kësaj pyetjeje”.

Stevanoviq refuzoi të jepte shifrën e tij për numrin e viktimave të Srebrenicës, edhe kur iu kërkua të jepte një shifër të përafërt.

“Edukata që më ka dhënë familja nuk më lejon të merrem me çështje të tilla. Nga respekti për viktimat e Srebrenicës dhe ato në anën tjetër, nuk do të jap një shifër,” tha ai.

Stevanoviq tha se më 13 dhe 14 korrik1995 ai ishte vetëm në shtëpinë e tij në fshat pranë Zvornikut, por mohoi të ketë qenë në dijeni për mijëra të burgosurit boshnjakë të ekzekutuar nga forcat serbe të Bosnjës ato ditë.

“Nuk e dija. Informacioni i parë që mora në lidhje me këtë ishte nga media në entitetin e Federatës Boshnjake. Nuk e dija vërtet,” tha ai.

Kur e pyetën për mendimin e tij për Mlladiqin, Stevanoviq u përgjigj: “Ai është një ushtar shumë profesionist, i drejtë, por i ashpër. Ai është një njeri që nuk e do dhe nuk i pëlqen humbja, por i respekton dhe mbron shumë njerëzit e tij. Ai personalisht dhe familja e tij u bënë viktima të këtyre pikëpamjeve dhe një pune të tillë”.

Pasi iu kërkua të shpjegonte fjalinë e fundit të përgjigjes së tij, dëshmitari tha se gjatë luftës, Mlladiqi “humbi vajzën e tij, një doktoreshë dhe se ai vetë u sëmur. Një tragjedi më e madhe se kjo është e pamundur.”

Vajza e Mlladiqit, Ana, vrau veten në vitin 1993 në Beograd.

Gjykimi vazhdon.