Dëshmitari: Më Manipuloi Vjehrra Ime

Vazhdoi të enjten gjykimi kundër ish-gjyqtarit Ukë Muçaj, pas disa seancave të shtyra për shkak se mbrojtja e tij kërkoi përjashtimin e prokurorëve vendas nga ky gjykim. Prokuroria refuzoi këtë kërkesë, ndërsa Orhan Basha, avokati i Muçajt reagoi ashpër.

Seanca gjyqësore ndaj ish-gjyqtarit Ukë Muçaj ishte shtyrë disa herë, pasi mbrojtja e tij në seancën e 29 shtatorit  kishte kërkuar përjashtimin e çdo prokurori vendor, ndërsa prokuroria nuk i ishte përgjigjur kërkesës së mbrojtjes së të akuzuarit për marrje ryshfeti.

Në seancën e sotme gjyqtarja Mariola Pasnik njoftoi se Prokuroria e EULEX-it dhe Prokuroria e Kosovës kishin diskutuar me këtë rast duke vendosur që të refuzojnë kërkesën e mbrojtjes së të akuzuarit për përjashtimin e prokurorëve vendor dhe marrjen e rastit nga Prokuroria e EULEX-it, me arsyetimin se nuk ekziston asnjë rrethanë e jashtëzakonshme që do të arsyetonte këtë veprim.

Kjo u kundërshtua nga mbrojtja e të akuzuarit. Avokati Orhan Basha ishte mjaft i ashpër për këtë vendim.

“Ky nuk është vendim, por është njoftim”, tha Basha

Gjyqtarja Mariola Pasnik i tregoi avokatit Basha se ky është një vendim i marrë nga një organ tjetër dhe si i tillë është jashtë ndikimit të gjykatës dhe duhet të zbatohet.

“Nëse keni ndonjë vërejtje lidhur me këtë vendim, duhet t’i drejtoheni mbikëqyrësit të Prokurorisë”, tha Pasnik.

Pas kësaj prokurori i çështjes Ali Ajdini lexoi aktakuzën me të cilën ngarkohet ish-gjyqtari Muçaj, i cili u deklarua plotësisht i pafajshëm në të gjitha pikat e akuzës që e ngarkojnë.

Ukë Muçaj në janar të vitit 2012 ishte dënuar nga ish-Gjykata Komunale në Prishtinë me tre vjet burg dhe tre vjet mosushtrim profesioni, pasi akuzohej për marrje ryshfeti dhe ushtrim ndikimi.

Prokuroria e akuzonte atë se kishte marrë 12 mijë euro, derisa kryente detyrën e gjyqtarit.

Orhan Basha ishte ankuar në Gjykatën e Apelit ndaj këtij vendimi dhe Apeli e ka kthyer lëndën në rivendosje.

Sot në cilësinë e dëshmitarit në Gjykatë u paraqit Prek Gegaj.

Prokurori e pyeti Gegën se a kishte qenë ndonjëherë në banesën e Ukë Muçajt në Pejë, ndërsa dëshmitari u përgjigj se të akuzuarin për herë të parë e kishte takuar në këtë gjykatë.

Prokurori Ajdini tha se pas kësaj përgjigjeje të dëshmitarit nuk i mbetet zgjidhje tjetër përpos se ta ballafaqojë dëshmitarin më deklaratën e tij në Prokurori.

“Kam shoqëruar nënën e gruas sime, e cila më ka thënë ta çoj në Klinë për t’i huazuar disa para te një i afërm, e këto para i duheshin për t’ia dhënë gjyqtarit Ukë Muçaj me qëllim që ai t’i linte të mbroheshin në liri djemtë e saj që ishin të implikuar në kryerjen e një vepre penale”, kishte thënë Gegaj në prokurori.

Prokurori e pyeti se cila është e vërteta pasi që ka një mospërputhshmëri të theksuar në thëniet e dëshmitarit.

Dëshmitari Gegaj u përgjigj se “Vjehrra ime duke shfrytëzuar gjendjen time të vështirë financiare më manipuloi dhe mbushi mendjen për të deklaruar kështu”.

Gjyqtarja Pasnik e pyeti se përse ishte manipuluar nga vjehrra e tij?

Dëshmitari u përgjigj se “unë kisha një aksident dhe kam një kukë artificiale dhe unë kam fëmijë që duhet t’i ushqej”, tha dëshmitari.

Dëshmitari pastaj tregoi se cili kishte qenë motive i vjehrrës së tij për ta manipuluar.

“ Vjehrra ime duke dasht t’i mbulojë shpenzimet e djalit të saj të vogël që kishte hyrë në borxhe, arsyetohej para djalit të saj të madh që punonte në botën e jashtme dhe dërgonte para, se këto para shpenzoheshin për avokatë, prokurorë e gjyqtarë”, tha Gegaj.

Dëshmitari tregoi më pas që ishte penduar për deklaratën e tij, dhe pse fillimisht kishte besuar në ato që i thoshte vjehrra.

“Unë i urreja këta juristët, avokatët e prokurorët“, tha dëshmitari.

Seanca do të vazhdojë në muajin dhjetor.