Dëshmitari i thotë Prokurorit Po Më Trajtoni si UDB-ja

Gjatë vazhdimit të seancës së gjykimit për krime lufte kundër “Grupit të Drenicës”, kryetari i trupit gjykues Darius Silicki, sipas gazetarit të KALLXO.com-it në gjykatore ka qenë i nervozuar duke  ia ndërprerë shpeshherë fjalën “Dëshmitarit L” me arsyetimin e dëgjimit të përkthimit.

Më tutje gjatë seancës dëshmitari ka vazhduar t’u përgjigjet pyetjeve të prokurorit.

Mes tjerash prokurori Michalczuk e pyeti “Dëshmitarin L” nëse i ka treguar vëllai se është keqtrajtuar nga Sahit Jashari në qendrën e ndalimit të UÇK-së në Likovc.

Dëshmitari kësaj pyetjeje iu përgjigj me “Po”, duke treguar se “Dëshmitari A” e kishte identifikuar Jasharin si njërin nga keqtrajtuesit e tij, pasi e njihte atë edhe më herët.

Dëshmitari më pas tregoi se para se ushtarë me uniforma të UÇK-së ta merrnin me vete në Likovc “Dëshmitarin A”, u kishin ardhur dy herë në shtëpi Sahit Jashari e Jahir Demaku.

Njësoj si gjyqtari Darius Silicki, reaguan disa herë avokatët Rrecaj e Gashi, duke kërkuar nga prokurori që të mos e lexojë deklaratën e mëhershme të “Dëshmitarit L” gjatë marrjes së tij në pyetje.

Darius Silicki ua kujtoi mbrojtësve se leximi i deklaratave të mëparshme për t’ia kujtuar dëshmitarit se çka thënë më herët lejohet me ligjet e Kosovës.

“Dëshmitari L” dëshminë e tij do ta vazhdojë më 4 gusht kur është planifikuar seanca e radhës.

12:09

Të enjten në gjykimin e “Grupit Drenica” po e vazhdon dëshminë “Dëshmitari L”. Ai i tha prokurorit në gjykatore se po më trajtoni si ish-shërbimi sekret jugosllav UDB-ja. Për këto fjalë kryetari i trupit gjykues Silicki kërkoi nga prokurori Michalczuk që dëshmitari të trajtohet si armiqësor.

“Dëshmitari L” të enjten pasi iu përgjigj disa pyetjeve të prokurorit kërkoi të dijë nëse është në gjykatore si dëshmitar, apo si i pandehur.

Kryetari i trupit gjykues Darius Silicki ia sqaroi të koduarit me shkronjën L se po merrej në pyetje si dëshmitar.

“Ne po të pyesim ty në cilësinë e dëshmitarit, po në fillim të dëshmisë tënde the se do ta flasësh vetëm atë që e ke deklaruar në dëshminë e mëhershme dhe unë po të tregoj që këtu nuk po e deklaron atë çfarë e ke thënë”, shpjegoi Silicki.

Sipas prokurorit Michalczuk “Dëshmitari L” gjatë marrjes në pyetje para ish-prokurorrit të EULEX-it Salustro që përpiloi aktakuzën e “Grupit të Drenicës” kishte thënë se Sylejman Selimi e kishte kërcënuar me vrasje, kur ky dëshmitar kishte shkuar që të interesohej për fatin e vëllait të tij, të njohur në këtë proces si “Dëshmitari A”.

Polemika mes “Dëshmitarit L” dhe prokurorit nisi kur përfaqësuesi i organit të ndjekjes e pyeti dhënësin e dëshmisë nëse kur kishte shkuar në Likovc për ta vizituar të vëllanë kishte takuar ndonjë udhëheqës të UÇK-së.

“Jo nuk i kam taku për shkak se nuk i kam njoftë ata njerëz”, deklaroi dëshmitari.

Prokurori e ballafaqoi me deklaratën e dhënë në tetorin e vitit 2013 kur “Dëshmitari L” kishte thënë se para depos së materialit ndërtimor ku mbaheshin të ndaluarit në Likovc kishte takuar tash të akuzuarin Sylejman Selimi.

Sipas deklaratës së atëhershme Sylejman Selimi i kishte thënë “Dëshmitarit L” se do ta vrisnin nëse tentonte të hynte në qendër për ta parë të vëllanë.

Dëshmitari tha në gjykatore të enjten se këto fjalë ia kishte thënë një rojë e qendrës e jo Sylejman Selimi.

Nuk kam mujt me identifiku, edhe tash që dy muaj, ose prej kohës që ka fillu gjykimi përmes mjeteve të informimit po kam mundësi me e pa Sylejman Selimin. Ky nuk ka qenë ai njeri [që më kërcënoi]”, tha “Dëshmitari L”.

Prokurori e pyeti dëshmitarin nëse nga presioni tash nuk po e përmend Sylejman Selimin. Dëshmitari shpërtheu në një moment duke thënë: “Nuk e di pse po më trajtoni kështu, po ma bani njësoj si bashkëpunëtorët e UDB-së në vitin 1994, njëjtë po ma bani edhe ju që më keni detyru me deklaru me zor “.

Pas këtyre fjalëve ndërhyri kryetari i trupit gjykues Silicki.

“Unë po të lejoj se ju mund të trajtoni këtë dëshmitar si dëshmitar armiqësor, me të gjitha pasojat që mund t’i ketë”, tha Silicki.

Prokurori pastaj ishte më i drejtpërdrejtë. E pyeti dëshmitarin se kur ke gënjyer për Sylejman Selimin, atëherë para Salustros, apo tash.

“Nuk kam rrejt as atëherë, as tash, është ni gabim i identifikimit të personit”, u përgjigj dëshmitari.

Para se të nxehej me prokurorin “Dëshmitari L” tregoi se gjatë kohës sa vëllai i tij mbahej i ndaluar, kishte shkuar shpesh në Likovc.

“Për 23 ditë sa ia ka qëndruar në atë burg, unë kam shkuar aty nga dy herë në ditë-një herë në mbrëmje dhe një herë në mëngjes. Herë kam shkuar me djalin e vëllait e herë me motrën dhe nipin”, tregoi dëshmitari.

Seanca është duke vazhduar ndërsa pritet të përfundojë rreth orës 13:00.