Dëshmia e Agron Mustafës para Komisionit Hetimor Parlamentar për gjendjen e PTK-së

Ish kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, dje ishte i ftuar para Komisionit Hetues Parlamentar, si dëshmitar i rradhës, për gjendjen e degraduar të Postës dhe Telekomit të Kosovës.

Mustafa në fillim të intervistimit tha se deputeti Milaim Zeka nuk duhet  të jetë pjesë e këtij Komisioni, pasi sipas tij, ai ka marrë deri 100 mijë euro me kompaninë e tij ‘Mozaiku’  dhe se kjo është konflikt interesi.

“Deputeti Milaim Zeka kundërligjshëm është pjesë në këtë Komision. Milaim Zeka ka qenë pjesë kontraktuale e Telekomit, ku ka përvetësuar deri 100 mijë euro. Kjo është kundër Kodit Penal të Kosovës. Deri para se të bëhet deputet, Milaim Zeka ka bërë shantazhe publike kundër meje dhe jam intervistuar nga policia dhe për këtë nuk duhet të jetë pjesë e këtij Komisioni”, deklaroi Mustafa.

Kurse deputeti Zeka, menjëherë reagoi, duke e akuzuar Agron Mustafën se ka rrahur gra dhe se është përleshur fizikisht me ish kryetarin e Bordit të PTK-së, Rexhë Gjonbalaj.

“Krejt biografia jote flet për rrahje të femrave, rrahja me ‘Tarkanin’ dhe me Rexhë Gjonbalaj. Ato shantazhe që i ke bo vazhdo bëj pas këtij institucioni. Unë nuk kam pas kontratë personale por me kompaninë ‘Mozaiku’. Ti gjërat që i ki vazhdoj pas institucioneve të Kuvendit. Agjencioni Kundër Korrupsionit e trajton a ka konflikt interesi”, ishte përgjigjja e Milaim Zekës.

Më pas Mustafa filloi të tregonte kronologjikisht, se si ka shkuar çështja me kompaninë ‘Z Mobile’ deri tek Gjykata e Arbitrazhit, ku më pas Telekomi u dënua me 27 milion euro dëmshpërblim, për kompaninë e Blerim Devollit.

“Me 14 mars 2013, Telekomi i drejtohet ARKEP-it dhe Z Mobile me një letër, përmes të cilës thotë që dhënia e MVNO (operator virtual), do të shkaktonte probleme për Telekomin. Me 12 prill të atij viti, ARKEP-i i drejtohet Z Mobile, që tregon se maksimumi i numrave që do të rezervohen është 200 mijë. Dhe pastaj me 18 korrik, vjen vendimi për ndarjen dhe rezervim të numrave. Nxirret edhe një udhëzim ku Telekomi njoftohet se si të veprohet. Me 27 dhjetor 2013, Telekomi i drejtohet Z Mobilet, ku maksimumi mund t’i ketë 200 mijë numra”, tha Mustafa.

Tutje ai tregon se me 5 shtator, Z Mobile ka kërkuar takim me Telekomin, për projektin e shërbimeve të internetit 3G dhe 4G.

Sipas Mustafës, me 13 nëntor të 2013-ës, krijohet një konfuzion, ku një njoftim i ARKEP-it, që i drejtohet të dyja palëve, thotë se ARKEP-i ka thënë që nuk do të ndahet seria e numrave por vetëm do të ‘rezervohet’ ajo seri e numrave.

“Me sa kam njohuri 1 tetor 2014 ndërrohet menaxhmenti dhe Z Mobile kërkon takim me menaxhmentin e ri dhe Telekomi e konfirmon takimin”, vazhdon dëshminë e tij Mustafa.

“Me 11 nëntor 2014, ARKEP-i i drejtohet dy palëve që brenda 15 ditëve të arrihet  marrëveshja për shfrytëzim të resurseve të pa shfrytëzuara. Nëse nuk arrihet marrëveshje, do të procedohet më tutje sipas ligjit dhe kompetencave. Ndërsa me 25 nëntor, Telekomi i drejtohet Z Mobile, ku i thotë se marrëveshja dhe kontrata nuk i rregullon shërbimet 3G dhe 4G, por që duhet një marrëveshje tjetër. Kurse përgjigjia e Z Mobile ishte se shërbimet e internetit duhet të ofrohen sa më shpejtë” tha Mustafa në dëshminë tij.

Agron Mustafa ka folur edhe për takimin me Blerim Devollin dhe Milot Gjikollin, ku tha se është takuar me ta në zyrën e tij dhe ka premtuar që do të zbatohet kontrata.

Ai ka thënë se ka pasur tentime që me u zgjidh mosmarrëveshja dhe çështja të mos shkojë në Gjykatën e Arbitrazhit.

“Kontrata e parasheh që në rast të mosmarrëveshjeve, njëra palë mund të drejtohet në Arbitrazh. Me sa kujtoi, ka qenë një letër nga Z Mobile në janar të vitit 2015, që thotë se ‘nuk na mbetet gjë tjetër përpos inicimit në Arbitrazh’.

Ai ka thënë se ka pasur dy takime me drejtuesit e Z Mobile, njëra para Arbitrazhit dhe tjetra pas. Sipas tij, ai ka kërkuar kohë për zgjidhjen e mos marrëveshjes, por përgjigjia ka qenë se është vonë dhe dëmi është shkaktuar.

Sipas Agron Mustafës, problemi konkret në mes të Telekomit dhe kompanisë Z Mobile, ka qenë sepse Telekomi e ka interpretu kontratën ashtu siç e ka parë vet, ndërsa Z Mobile ashtu siç e kanë parë vet ata dhe juristat e tyre.

Ai ka thënë se nuk ka pasur kurrfarë qëllimi nga Telekomi që ta fshehë kontratën.

Mustafa ka folur edhe për padinë e Telekomit ndaj kompanisë Z Mobile, ku ka thënë se padia është tërhequr pastaj, sepse ka qenë marrëveshje e dypalëve.

“Interpretimi i zyrës ligjore ka qenë që mund ta pranojmë vendimin e Arbitrazhit. Nëse dëshirojmë që mos ta pranojmë atë, e vetmja zgjidhje ka qenë padia, si refuzim i vendimit. Z Mobile fillimisht ka paraqitur kërkesë për njohje të vendimit, ndërsa ne e kemi tërheqë padinë pasi kemi dashtë ta arrijmë marrëveshje”.

Ai ka thënë se vendimi i Arbitrazhit ka qenë final dhe nuk ka pasur hapsirë për ankimim.

Tutje në dëshminë tij, Agron Mustafa ka deklaruar se ai dhe menaxhmenti bashkë me Bordin, kanë qenë të bidnur se do të fitojë çështjen në Arbitrazh dhe shumën e gjobitjes as nuk e kanë paramenduar. Ai ka deklaruar se ende egziston bindja në Telekom se partneri nuk ka pasur të drejtë.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, duke e pyetur Mustafën për sponsorizimet e Telekomit, tha se si për portale dhe media fiktive nuk po e din si janë dhënë sponsorizimet, e për Milaim Zekën po e din që i ka marrë 100 mijë euro.

“Milaim është shumë simpatik, që thotë se nuk i ka marrë vet por kompania e tij”, tha Mustafa.

E përgjigjia e Zekës ishte e menjëhershme: E ki mësu fjalorin e Hashim Thaçit e Kadri Veselit, e me mu nuk të hec.

Tutje Milaim Zeka e ka akuzuar se drejtori i marketingut në Telekom, Arben Shabani, është prapa studios ‘DB’ e cila sipas Zekës ka përfituar 4 milion euro, e që Zeka thotë se është shok i ngushtë me Agron Mustafën.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetit të Vetëvendosjes, Liburn Aliut, se si është zgjedhur kompania ligjore për mbrojtjen e Telekomit në Aribtrazh, një kompani me më pak përvojë e më e shtrejntë, Agron Mustafa tha se i duket e pabesueshme që deputetët nuk kanë informata për Ligjin e Prokurimit Publik dhe pyeti cila është shkelja ligjore në këtë rast.

Agron Mustafa gjithashtu u pyet edhe se sa para i ka gjetur në llogarinë e Telekomit dhe sa i ka lënë, kur i ka përfunduar mandati i tij.

“Kanë qenë 45 milionë euro para kesh, por aty ka qenë një gjobë prej 11 milion eurove dhe një obligim tjetër rreth 10 milion. Diku afër 100 milion euro kanë qenë shpenzime dhe obligime. Ndërsa kur e kam pëfunduar mandatin në vitin 2018 kanë qenë rreth 2 milion euro” ishte përgjigjia e Mustafës, në pyetjen e Albulena Haxhiut.

Në fund të dëshmisë së tij, Agron Mustafa foli për punëtorët që kanë qenë në Telekom. Ai deklaroi se i ka gjetur 2 mijë e 332 të punësuar dhe një strukturë organizative të çoroditur.

“Telekomi nuk është shkatërru, ka potencial për rimëkëmbie. Fillimi i rënies së Telekomit për mua është në vitin 2009, sepse ka qenë i mbipopulluar. Pjesa tjetër, njëra nga gabimet e mëdha të Telekomit, është nënshkrimi i kontratës së faturimit. Këtu filloi rënia e Telekomit. Ndërsa humbja me Z Mobile ka qenë çështje e interpretimit ligjor të kontratës”, ka thënë Mustafa.

Pas rreth 3 orë e gjysmë intervistim, kryesuesi i Komisionit, Visar Ymeri, vendosi për mbyllje të mbledhjes, sepse nuk kishte kuorum të anëtarëve, pasi ishte seanca e Kuvendit të Kosovës.