Deputetët të Shqetësuar për Dyshimet rreth Cilësisë së Miellit

Anëtarët e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Mjedis e Planifikim Hapësinor ngritën shqetësimet rreth dyshimeve për cilësinë e dobët të miellit në Kosovë, pas dyshimeve të ngritura në publik se një kompani vendore po u ofron kosovarëve grurë me miell të cilësisë së ulët.

Anëtari i këtij komisioni nga radhët e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Salih Salihu, tha se kompania M&Sillosi dhe Dogana e Kosovës ka pranuar se ka futur 10 mijë tonë grurë për ushqimin e kafshëve.

“Drejtori i M&Sillosit thotë se ne kemi importuar 10 mijë tonë grurë për ushqimin e kafshëve në atë kuptimin që është grurë i cilësisë së dobët, dhe ne tash si komision ende nuk e dimë se ata 10 mijë tonë ku janë shitur, a janë bluar, a janë përdorur për ushqimin e njerëzve apo ato kanë shkuar për ushqimin e kafshëve ashtu qysh kanë hyrë brenda”, tha Salihu.

Ndërkaq Adem Salihaj shprehu shqetësimin për grurin e importuar për ushqim të kafshëve.

“Në fillim pohuan se janë importuar diku 500 tonë pastaj kjo sasi u rrit gjatë bisedës në 3 mijë tonë, ku ne pohuam vet që M&Sillosi pohon që i ka importuar 10 mijë tonë, ata më në fund thanë po qenkan 10 mijë tonë”, u shpreh Salihaj.

Ai dyshon se këto shifra janë të sakta.

“Unë nuk jam i bindur që këto informata janë shumë të sakta për shkak se gjatë takimit kanë lëvizur prej 500 tonë në 10 mijë tonë që është një dallim shumë i madh”, deklaroi Salihaj.

E Shaip Muja tha se detyrë e tij dhe komisionit është që t’u tregojë qytetarëve se çfarë kualiteti të miellit kanë përdorur.

“Ky kualitet i miellit ka bërë skandal edhe në Republikën e Shqipërisë, por pas ndërhyrjes së politikës u fundos ai skandal”, tha deputeti i pavarur Muja.