Dënohet Sepse Vodhi Jorgan, Batanije dhe Jastëk

Behar Nuredini nga Gjilani u dënua nga gjykata e Gjilanit me 2 vjet e 8 muaj burgim dhe 1000 euro gjobë.

Në maj të këtij viti, në një shtëpi të pabanuar në fshatin Pasjak të Novo Bërdes, policia atij i kishte konfiskuar 37,8 gramë marihuanë të ndara në 20 qese, një revole me gaz, sprej anti-sulm, dhe një thikë “flutur”.

Sado e pabanuar, shtëpia e pabanuar po shfrytëzohej  nga Niredini.

Nuredini po në të njëjtin muaj, në fshatin Pasjak, pasi kishte thyer dryrin e një shtëpie nga aty kishte vjedhur një jorgan, një batanie dhe një jastëk.

Për këto vepra ai para gjykatës e pranoi fajësinë dhe u pendua.

“Kurrë më s’do të merrem me këto punë”, tha Behar Nuredini pas shqiptimit të dënimit nga ana e gjyqtares Emine Salihu dhe lajmit se do të lirohet nga paraburgimi.

Ndërsa mbrojtësi i tij avokati Ramiz Sylejmani tha se do të parashtrojë ankesë.

“Po, sigurisht që do të bëjmë ankesë. Mendojmë se dënimi është pak i lartë për shkak se ai e ka pranuar fajësinë”, tha avokati Sylejmani.

Sipas Sylejmanit, te pranimi i fajësisë sipas ligjit edhe dënimi duhet të jetë më i butë.

Sipas aktgjykimit, nëse i dënuari nuk paguan gjobën atëherë gjoba do t’i shndërrohet në burgim.

“20 euro, gjobë do t’i shndërrohen  me një ditë burgim”, thuhet në aktgjykim.