Deçani Lidhet me Rrugë me Manastirin Mesjetar të Tij

Është përuruar dje rruga që lidh Deçanin me manastirin dhe burimin e ujit mineral të kësaj komune.

Përurimin e Rrugës “Sadri e Adem Osa” e bënë komandanti i KFOR-it Guglielmo Luigi Miglietta dhe kryetari i Komunës së Deçanit Rasim Selmanaj.

Për këtë rrugë foli komandanti i KFOR-it italian Ciro Forte. Sipas tij ky projekt do t’i afrojë deçanasit më shumë me trashëgiminë e tyre kulturore.

“Ky projekt ka për qëllim përmirësimin e trashëgimisë kulturore të përfaqësuar nga Manastiri i Deçanit në mënyrë që kjo mund të bëhet trashëgimi e të gjithë qytetarëve, “ deklaroi Forte.

Ai shtoi se edhe udhëtimi drejt burimit të ujit mineral pranë manastirit, do të jetë më i lehtë.

Kryetari i Komunës së Deçanit Rasim Selmanaj  falënderoi KFOR-in për këtë investim.

“Jemi në një ngjarje mjaft të rëndësishme, sepse po bëjmë përurimin e një rruge që dikur ka qenë ëndërr për këtë pjesë, “ tha Selmanaj.

Banorët i janë gëzuar kësaj rruge, ngase ajo ua ka shkurtuar edhe udhëtimin drejt bjeshkëve të Deçanit.

“Së pari është ( rrugë ) që lidh bjeshkët tona me vendbanimet, edhe është një rrugë shumë trup dhe e qëlluar. Investim shumë i qëlluar, i falënderojmë  pavarësisht së kush ka qenë investitori, “ tha Ali Berisha, njëri nga banorët e Deçanit.