#DebatPernime për Integrime Ndërkombëtare
#DebatPernime, i udhëhequr nga Jeta Xharra, ka ftuar sot përfaqësues të gjashtë partive politike që t’i shpalosin programet e tyre për integrime ndërkombëtare në debatin e katërt parazgjedhor. Shikoni debatin LIVE në:
Faton Topalli- LVV: Te kartoni i gjelbër preken interesat e Gani Thaçit
“Kjo është një çështje shuam komplekse sepse preken shumë interesa. Fjala është për 200 milionë euro që i kanë fituar këta për 13 vjet, prandaj është komplekse, prandaj edhe s’guxojnë të flasin për datën (e Kartonit të Gjelbër) për arsye se i prekin interesat e z. Gani Thaçi. Ku guxojnë këta me folë për interesat e Gani Thaçit”, tha Faton Topalli i Vetëvendosjes.
Enver Hoxhaj – PDK: Ka nevojë për një fond për opozitën.
“Meqë po flasim për Fondin për Zhvillim Ekonomik, unë sugjeroj që kryeministri Thaçi të bëjë një fond për zhvillimin e opozitës. Ka nevojë të këtë një fond për zhvillimin e opozitës”, u shpreh Hoxhaj.
Arban Abrashi- LDK: Kartoni i gjelbër në fund të këtij viti.
“Me ardhjen e LDK-së në pushtet, nuk po premtojmë në dy muajt e parë sepse nevojitet konsolidim i kabinetit, por nga Diaspora në pushimet dimërore të fundit të këtij viti do ta kenë kartonin e gjelbër”, tha Arban Abrashi i LDK-së.
Edita Tahiri e PDK – së s’ka përgjigje për zbatimin e marrëveshjes për diploma.
Vjosa Osmani – LDK: Për shkak të vëllait të Thaçit ende nuk e kemi “Kartonin e gjelbër”.
“Sa i përket “Kartonit të gjelbër”, nuk e kemi sepse vëllai i Thaçit udhëheq një nga kompanitë e sigurimeve, dhe kjo ka qenë natyrisht arsyeja e përfitimit të tij të madh që të mos kemi “Karton të gjelbër”. Me LDK-në kjo do të ndodh shumë shpejtë, jo duke i pasur parasysh interesat e kompanive të sigurimeve, por interesat e qytetarëve”, tha Vjosa Osmani nga LDK-ja.
Enver Hoxhaj- PDK: AKR-në nuk do ta kemi më në koalicion
“Ylli Hoxha u distancua më herët nga Kryetari i tij, Albini (Kurti). Pyetja ime është a e njeh Ylli Hoxha Albinin për kryetar dhe a e njeh vetëvendosje Kosovën? Ndërsa Ibrahim Makollin nuk e marr shumë seriozisht për politikën e jashtme sepse me AKR-në vetëm deri në Rusi munden me mbërri… Tash i takojnë së kaluarës, më nuk do të jenë në qeveri. Edhe i kemi civilizu pak, i kemi çiru”, tha Enver Hoxhaj i PDK-së.
Puhie Demaku – LVV: Korrupsioni është rritur në fund të mandatit të kësaj qeverie
“Në vitin 2010, ia kujtoj zotëri Hoxhajt, se Hashim Thaçi i ka pasur tri qëllime, dhe në mandatin që kaloi e ka pasur euro-integrimin në të cilin ka dështuar. Sa i përket punësimit, këta kanë thënë se e kanë zhvillimin ekonomik, korrupsioni është rritur kah funti i mandatit, i kanë mbushur xhepat me para e ta zhvillojnë biznesin e tyre në mandatin e ardhshëm e jo për punësim”, tha Puhie Demaku nga LVV.
Roland Sylejmani- PF: Kosovarët do të dalin jashtë me libreza të kafshëve
“Ne e kemi një strategji shumë efikase dhe shumë të shpejtë qysh kosovarët mund të dalin jashtë pa viza, përmes sistemit me të cilin udhëtojnë kafshët, për shembull, librezat. Ato nuk e kanë problem të dalin jashtë Kosovës dhe përmes këtij sistemi qytetarët e Kosovës do të shkojnë jashtë pa viza”, tha Roland Sylejmani i Partisë së Fortë.
Rina Vuqitërna – PF: Kampet e refugjatëve shqiptarë nëpër Evropë i shohim si rekreacion.
“Mitingjet nëpër kampe të Francës dhe të Hungarisë, ne nuk i shohim si diçka problematike, ato më shumë i shohim si mitingje rekreative dhe janë më shumë si nevojë e njerëzve për të pasur grupime dhe të socializohen me njëri-tjetrin”, tha Rina Vuqitërna nga Partia e Fortë.
Enver Hoxhaj – PDK: Në 2015 do të udhëtojmë pa viza.
“Në fund të qershorit të 2014-s publikohet raporti, i cili do të konstatojë se qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza se krejt kriteret janë plotësuar. Me institucione të reja, udhëtimi pa viza në 2015”, tha Enver Hoxhaj nga PDK-ja.
Afrim Hoti – AKR: Do të bëjmë të mundur për qytetarët tanë që më së largu në vitin 2015 të udhëtojnë pa viza.
Anton Berishaj – AAK: Liberalizimi në vitin 2015.
“AAK në programin e vet e ka dhënë vitin 2015 si afat, jo siç tha Bajram Gecaj (LDK) se do të bëjë çmos, por do t’i kryejë të gjitha detyrat që i kërkon Bashkimi Evropian”, tha Anton Berishaj i AAK-së.
Bajram Gecaj- LDK: Me LDK-në, brenda 2 viteve do të udhëtojmë pa viza
“Kosova është një ndër shtetet më korrupsionin më të zhvilluar, me krim ekonomik, me krim të organizuar dhe si të tillë nuk mund të shkojmë në BE. Unë besoj se një ode dy vite pas zgjedhjeve do të vijë liberalizimi i vizave”, tha Bajram Gecaj nga LDK-ja
Puhie Demaku – VV: Nuk kemi datë për liberalizimin e vizave.
“Sa më shpejt që të lirohet qeveria nga krimi, aq më shpejt sot ë liberalizohen vizat. Datë të saktë nuk ka dhe nuk duhet gënjyer qytetarët sepse për aq kohë sa ka skandale të pasaportave, për sa kohë ka Xhabira e Ramadana, liberalizimi i vizave nuk do të ndodhë”, tha Puhie Demaku e Vetëvendosjes.
Edita Tahiri- PDK: Në janar e gëzofshim kodin telefonik
“Pas aplikimit, me kërkesën e Bashkimit Evropian, në janar e gëzofshim kodin telefonik të shtetit të Kosovës”, tha Edita Tahiri nga PDK.
Anton Berishaj – AAK: Çështja e domenit do të dihen pasi qeveria ta bëjë transparente marrëveshjen e plotë që e në dialogun me Serbinë
Arban Abrashi- LDK: Kodi dhe vizat, brenda vitit të parë të mandatit qeverisës
“Kodi (telefonik), numri dhe vizat do të bëhen brenda vitit të parë të mandatit qeverisës. Me siguri do të jetë kodi 383. Sa i përket domenit, po insistojmë në .rks, sepse nuk e heqim Republikën”, tha Arban Abrashi i LDK-së.
Vjosa Osmani – LDK dhe Enver Hoxhaj – PDK replikë rreth ish-ministrit të jashtëm të Sllovakisë
“Ju keni bërë skandalin më të madh si ministër i Jashtëm, duke e quajtur Sllovakinë armik të Kosovës, një shtet që po tentojmë me na njoftë”, tha Vjosa Osmani nga LDK-ja.
“Zurinda (ish ministër i Jashtëm i Sllovakisë) i ka thënë Lutfi Hazirit, Ardian Gjinit, edhe mua dhe Adriatik Kelmendit, se Kosova është shtet islamik dhe asnjëherë nuk do ta njoh Kosovën”, tha Enver Hoxhaj nga PDK-ja.
Puhie Demaku – VV: Parimet në politikën e jashtme janë njohja dhe respektimi i ndërsjellët i lirisë dhe vetëvendosjes, dhe interesi reciprok për bashkëpunim.
“Një politikë bashkëkohore, e guximshme dhe e aftë. Kosova nuk ka politikë të jashtme, për fat të keq, atë që e quan politikë të jashtme aktualisht e ka të ç’ koordinuar, të paargumentuar dhe jo profesionale. Për Vetëvendosjen, politika e jashtme duhet të bazohet në parime, dhe për ne parimet në politikën e jashtme janë këto dy: njohja dhe respektimi i ndërsjellët i lirisë dhe vetëvendosjes, dhe e dyta është interesi reciprok për bashkëpunim”, tha Puhie Demaku nga LVV.
Ilir Bajri: E kemi bërë ‘fet’ politikën e jashtme
“Ne kemi një plan të elaboruar të politikës së jashtme që quhet “Krejt Jashtë”. Është një program i ngjeshur i bazuar në gjashtë pika: integrimet indoevropiane, Diaspora, marrëdhëniet me shtetin e Serbisë, pranimi në organizatat ndërkombëtare, liberalizimin e vizave dhe njohjet ndërkombëtare. PF konsideron se është shpenzuar shumë kohë me politikën e jashtme dhe nuk e kuptojmë pse. Angazhimi i madh në politikën e jashtme sikur nënkupton se politika e brendshme është stabilizuar dhe nuk është prioritet. Përqendrimi në politikën e jashtme sikur na thotë “e kemi bërë fet politikën e brendshme”. Pra konsiderojmë se politika e jashtme nuk është fare prioritet, nuk thuhet kot se bukuria e brendshme është ajoq ë ka rëndësi, ndërsa e jashtmja vetëm fasadë”, tha Ilir Bajri nga Partia e Fortë.
Enver Hoxhaj – PDK: Në vitin 2015 të udhëtojmë pa viza drejt Evropës
“Njohja dhe universale e pavarësisë së Kosovës, integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian. Ne presim që në vitin 2015 të udhëtojmë pa viza drejt Evropës, dhe ne presim që Kosova në vitin 2025 Kosova të jetë anëtare i plotë i BE-së, anëtarësimi i Kosovës në NATO. Ne presim që brenda një plani 5-vjeçar të anëtarësohemi në partneritetin për paqe, përderisa në vitin 2022 synojmë edhe anëtarësimin e plotë të Kosovës në NATO, anëtarësimin e Kosovës në OKB…, normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë në një periudhë 5-vjeçare”, tha Enver Hoxhaj nga PDK-ja.
Vjosa Osmani- LDK: Do ta riparojmë dëmin e shkaktuar nga PDK në politikë të jashtme
Meliza Haradinaj – AAK: Forcim i politikës së jashtme përmes diplomacisë kulturore, publike dhe asaj joqeveritare.
“Pa shtet të fortë të brendshëm nuk kemi një pozitë të mirë në politikën e jashtme. AAK-ja i ka tri pika kryesore në të cilat është fokusuar: forcimi i politikës së jashtme përmes diplomacisë kulturore, publike dhe asaj joqeveritare”, tha Meliza Haradinaj nga AAK
Afrim Hoti- AKR: Mbështetje e përpjekjeve ndërkombëtare në luftimin e terrorizmit
“AKR ka prioritet mbështetjen e përpjekjeve ndërkombëtare për luftimin e terrorizmit në nivel vendor, rajonal e global për sigurinë e paqes në botë duke pasur parasysh që kjo është një vlerë universal dhe kërkesë e kohës dhe koordinimi me Diasporën kosovare si mekanizëm për promovimin e imazhit të Kosovës, si komponentë shumë e rëndësishme”, tha Afrim Hoti I AKR-së.
Ku gjendet Kosova në aspektin e integrimeve, jo vetëm evropiane? Çka është bërë, çka ka mundur të bëhet e që nuk është bërë dhe çka partitë premtojnë të bëjnë gjatë mandatit të ardhshëm katërvjeçar, nëse kanë në dorë fatin e integrimeve të vendit.
Për këto dhe çështje tjera sonte do të flasin, debatojnë e polemizojnë:
AKR: Afrim Hoti, Rejhane Vuniqi dhe Ibrahim Makolli;
AAK: Meliza Haradinaj, Anton Berishaj dhe Teuta Durmishi;
PDK: Enver Hoxhaj, Edita Tahiri dhe Ramiz Kelmendi;
LDK: Arban Abrashi, Vjosa Osmani dhe Bajram Gecaj;
LVV: Ylli Hoxha, Puhie Demaku dhe Faton Topalli; dhe
Partia e Fortë: Ilir Bajri, Rina Vuqitërna dhe Roland Sylejmani