Danke Deutchland!

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, është takuar sot me ambasadoren e Gjermanisë Angelika Viets, e cila i ka përcjellë urimet e përzemërta të kancelares gjermane, Angela Merkel për zgjedhjen në pozitën e kryeministrit dhe gatishmërinë e qeverisë gjermane për të vazhduar me bashkëpunimin e ngushtë midis dy vendeve.

Kryeministri Isa Mustafa ka shprehur falënderimin për urimet dhe ka vlerësuar rolin e rëndësishëm të Gjermanisë për progresin e gjithanshëm në Kosovë. Ai ka theksuar gatishmërinë e kabinetit të tij qeveritar për të vazhduar bashkëpunim në fushën e sigurisë, të zhvillimit ekonomik, kulturor dhe në ruajtjen e raporteve të shkëlqyeshme midis vendeve tona, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Në takim, kryeministri Mustafa i ka shprehur ambasadores gjermane edhe një herë keqardhjen e thellë për vdekjen papritur të Andreas Schockenhoffen, nënkryetarit të grupit parlamentar të CDU-së në Bundestagun Gjerman, duke shprehur konsideratën e lartë për angazhimet e tij në ndërtimin e relacioneve miqësore në mes të dy vendeve, thuhet në komunikatë.