Dalin Para Gjykatës Punonjësit e Bankës që Përdorën Para të Klientëve

Seanca kundër katër punonjësve të akuzuar të Degës së Bankës NLB në Suharekë është shtyrë ngase mungoi një i pandehur dhe një avokat.

Burim Ademaj, Ilir Kryeziu, Maliq Behluli dhe Besnik Delijaj akuzohen nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për disa vepra penale të përvetësimit gjatë ushtrimit të detyrës, të mashtrimit dhe të shpërdorimit të pozitës zyrtare ose të autorizimit.

Katër të akuzuarit ishin punonjës të Degës së Bankës NLB në Suharekë, ndërsa akuzohen se përdorën për përfitim të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete para të afatizuara të klientëve të kësaj banke.

Këtë sipas aktakuzës e bënë në periudhën nga viti 2008 deri në muajin maj të 2011-ës.

Sot me të filluar seanca gjyqësore kryetarja e trupit gjykues duke e shikuar  prezencën e palëve në procedurë vërejti se mungon i akuzuari Maliq Behluli së bashku me mbrojtësin e tij Hasan Jasharin si dhe mbrojtësi i Ilir Kryeziut Haxhi Millaku i cili kishe njoftuar një nga kolegët se do të vonohej 30 minuta.

Kjo kryetare tha se do ta shqyrtojë mundësinë e caktimit të masës së sigurisë siç është paraburgimi, për të akuzuarin Maliq Behluli, ose të urdhërojë që ai të sillet me dhunë në gjykatë.

Pastaj për shkak të këtyre mungesave, seanca u shty për datën 31 gusht.

Hazër Susuri avokati i Burim Ademajt tha se kjo është seanca e dytë e këtij procesi që shtyhet.

“Seanca e sotme gjyqësore sikurse edhe seanca e mëparshme po e shtyn këtë çështje penale për shkak se i akuzuari përkatësisht të akuzuarit nuk kanë qenë të gjithë dhe është kusht i mjaftueshëm që e njëjta të shtyhet,” tha avokati Susuri.

Edhe Susuri tregoi masat që do të ndërmarrë gjykata për të akuzuarin që mungoi.

“U vendos që ata që kanë munguar nga shqyrtimi i sotshëm të rishikohet mundësia e ricaktimit të paraburgimit ose të sjelljes me dhunë nga ana e gjykatës,” përfundoi Susuri.