Cliff: Trepça Është Punë e Komplikuar

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff, tha sot se çështja e kombinatit Trepça është punë e komplikuar dhe se zgjidhja duhet të bëhet duke pasur parasysh edhe interesat e punëtorëve serbë që punojnë në këtë kompani.

“Sa i përket Trepçës, duhet të gjendet një partner strategjik teksa Trepça vazhdon të mbesën në këtë situatë të komplikuar të administrimit gjatë privatizimit”, tha Cliff.

Diplomati britanik tha se çdo vendim duhet që të aprovohet nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme e cila zgjidh kontestet që kanë të bëjnë me privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore e publike.

“Tani kemi një procedure burokratike të pabesueshme dhe ajo çfarë dëshiron biznesi është një strukturë e thjeshtë”, tha Cliff.

“Trepça është një temë më e komplikuar pikërisht për shkak që është i përfshirë edhe veriu dhe mendoj se Qeveria në të ardhmen duhet të punojë sa i përket ligjit për Trepçën por ai ligj duhet që të bëhet në pajtim me të gjitha partitë politike, edhe me partitë që përfaqësojnë minoritetin serb sepse ka shumë punëtorë serbë në Trepçë. Për momentin mendoj se shmangja e likuidimit është çelësi”, u shpreh ai.