Cliff Lavdëron Komunën e Pejës për Raportet e saj me Patrikanën

Ian Cliff, ambasadori britanik në Kosovë gjatë qëndrimit në Pejë sot teksa tregoi se së shpejti do të largohet nga Kosova, bëri të ditur se Pejën e vizitoi në fillim të mandatit dhe po e riviziton nga fundi i tij.

Në një konferencë  për medie ku doli bashkë me kryetarin e Pejës, Cliff falënderoi Muhaxherin për raportet që komuna ka krijuar me Patrikanën e Pejës.

“Si një prej mbështetësve kryesor të Planit të Ahtisaarit i japim rëndësi të veçantë marrëdhënies  mes Komunës së Pejës dhe Patrikanës në Pejë. Pata rastin ta falënderoj Kryetarin e Komunës për marrëdhëniet e mira që ka krijuar me ketë institucion të rëndësishëm,” deklaroi Cliff.

Ai shprehu bindjen se ky objekt i trashëgimisë kulturore do t’i sjellë të ardhura nga turizmi Pejës. [Patrikana] institucion i rëndësishëm i kishës ortodokse, gjithashtu është i rëndësishëm për krejt Ballkanin, por për Pejën natyrisht së krijon mundësi edhe për zhvillim të turizmit përmes këtij monumenti të trashëgimisë kulturore ,‘’ theksoi Cliff.

Edhe kryetari Muhaxheri tregoi se njoftoi ambasadorin për raportet e mira që pushteti lokal pejan kanë krijuar me komunitetet e këtushme.

“Biseduam me ambasadorin për punën që kemi bërë për marrëdhëniet me komunitete dhe falënderuam për ndihmën e  dhënë gjatë mandatit të tij jo vetëm në Komunën e Pejës, por edhe në tërë Kosovën dhe ndihmesën që ka dhënë ambasadori Cliff gjatë mandatit të tij për trashëgiminë kulturore,‘’ u shpreh kreu komunal  i Pejës.

Ambasadori Cliff do të vizitojë edhe fshatin Gorozhdec, ‘’Bajrakli Xhaminë‘’, Qendrën ‘’ Duart Plot Mëshirë ‘’ dhe Lagjen ‘’ 7 Shtatori ‘’ .

Pas vizitës në Komunën e Pejës, Cliff pritet ta vizitojë edhe Deçanin.