Çdo i Katërti Kosovar Jeton Jashtë Vendit

13 mijë kosovarë migrojnë çdo vit në shtete të ndryshme për arsye të punësimit, shkollimit dhe qëndrimit. Kështu u tha të martën në raportin e UNDP-së me temën “Migrimi si Forcë për Zhvillim”. Gjatë prezantimit të raportit, Marcus Baechler, drejtor i Zyrës Zvicerane për Zhvillim tha se çdo i katërti kosovar aktualisht jeton jashtë vendit.

Raporti i Zhvillimit Njerëzor 2014 në Kosovë, me temën “Migrimi si Forcë për Zhvillim”, i prezantuar nga UNDP-ja të martën dha shifra shqetësuese të migrimit të kosovarëve.

Koordinatori i OKB-së për Zhvillim dhe Përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP-së, Andrew Russell tha se në migrim ndikojnë politikat jo të mira të punësimit, por shtoi se diaspora kosovare ka pasur sukses.

ajo që po përpiqemi të bëjmë [në partneritet me IOM-in dhe Ministrinë e Diasporës] është që diaspora  cila ka migruar dhe ka pasur sukses të ndihmojë ata që kanë mbetur prapa, por që e meritojnë një shans”, tha Russell.

Emigrantët kosovarë u lavdëruan edhe për dërgimin e parave në atdhe.

“Diaspora është faktor i rëndësishëm duke e marrë parasysh të gjithë potencialin e diasporës sonë duke filluar nga numrat, struktura e shkollimit, fuqia profesionale dhe ekonomike dhe të gjitha mbështetjet financiare që Republikën e Kosovës vijnë përmes diasporës sonë”, tha Bajrami.

Edhe Marcus Baechler, drejtor i Zyrës Zvicerane për Zhvillim, tha fjalë të mira për mërgimtarët kosovarë.

“ Remitancat e tyre kanë ndikuar në përmirësimin e qasjes në arsim dhe përmirësimin e jetës në përgjithësi. Megjithatë, Kosova do të duhej të fuqizonte këtë në zhvillimin ekonomik dhe të përmirësojë kushtet dhe të jetë më tërheqëse për investime”, tha Baechler.

Ai bëri me dije se aktualisht një në katër persona nga Kosova jetojnë jashtë vendit, shumica e tyre, sipas tij, në Zvicër.

Udhëheqësi i Zyrës së IOM-it  Jorge Baca, edhe pse e vlerësoi migrimin si potencial për zhvillim, tregoi se një fenomen i tillë është edhe sfidë globale.

“ Emigrimi global është një faktor kyç që ndërmjetëson dhe furnizon tregun dhe është gjithashtu pjesë e sfidave globale, përfshirë edhe atë se si duhet të përgjigjemi ndaj zhvendosjes së popullatës të shkaktuar nga konflikti”, tha Baca.

Në diskutim u tha se çështja e migrimit është shumë e rëndësishme për liberalizim vizash. Gjatë tij u prek edhe çështja e investimeve të huaja në Kosovë, ndërsa u tha se pengesë për to është imazhi ekzistues për vendin.

Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011 rreth 380 mijë kosovarë jetojnë jashtë vendit.

Raporti i sivjetmë  i UNDP-së është i teti me radhë që hartohet për Kosovën. Ai analizon ndikimin e migrimit në demografi, ekonomi, përfshirje sociale, arsim, shëndetësi dhe pjesëmarrje publike.