Çarmatosen Dasmorët në Rajonin e Prizrenit

Policia e Kosovës ka njoftuar se mbrëmë ka konfiskuar dy armë në dy vende të ndryshme të cilat dyshohet se janë përdorur në dasma.

Rasti i parë ka ndodhur në fshatin Grejkoc të Suharekës ku janë dëgjuar të shtëna.

Policia rajonale në Prizren raporton se patrullat policore e kanë identifikuar shtëpinë prej ku janë dëgjuar krismat ndërsa në atë shtëpi po bëhej dasmë.

“Kryefamiljari me mirësjellje ia ka dorëzuar policisë një pistoletë të llojit ”Ekol Jakal Dual Compakt” e kalibrit 9mm me tre fishekë”, thuhet në raportin e policisë.

I dyshuari është shoqëruar deri në stacion policor dhe i është marrë një deklaratë lidhur me rastin dhe armën, kurse rasti është proceduar në mënyrë të rregullt.

Në rastin tjetër, është konfiskuar një pistoletë e llojit “Bruni Mod 92” e kalibrit 8mm në një gazmend familjar në rrugën “Beteja e Vrrinit” në Prizren.

“Pas arritjes së policisë në vendin e ngjarjes është identifikuar i dyshuari dhe është sekuestruar pistoleta me shtatë fishekë. Pas intervistës është informuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që të dyshuarit t’i sekuestrohet pasaporta me qëllim që i njëjti të paraqitet në organet e drejtësie para se të udhëtojë në shtetin ku punon”, thuhet në raport.