Caktohet Masa e Paraburgimit për të Dyshuarit e Vrasjes në Pejë

Departamenti për Krime të Rënda  në Gjykatën Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit tre të dyshuarve për vrasjen e fundit në Pejë të ndodhur më 31 dhjetor 2014.

Sipas gjykatës, masa e paraburgimit u është caktuar tre të dyshuarve N.B, Gj.B dhe G.B për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale vrasje të rendë në bashkëkryerje.

Kërkesën për caktimin e kësaj mase të sigurisë për të dyshuarit e kishte bërë Prokuroria Themelore e Pejës.

I pandehuri N.B dyshohet edhe për veprën penale mbajtje në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të pautorizuar të armëve.

Masa e paraburgimit është lëshuar në afat prej një muaji.

Me datën 31 dhjetor 2014 në orën 06:35, në Rrugën “Besnik Lajçi” në Pejë, në një pompë benzine është vrarë Isa Karagjyzi punëtori i kësaj pompe.