Bora Sjell Edhe Rritjen e Shkeljeve Të Ligjit Kundër Duhanit
Konsumimi i duhanit në mjedise të mbyllura është rritur që në ditën kur fjollat e para të borës ranë mbi vend.
Një “inspektim” i gazetares së KALLXO.com në disa lokale në Podujevë ka nxjerrë në shesh shkallën e lartë të mosrespektimit të këtij ligji i cili ka hyrë në fuqi vitin e kaluar.
Zëdhënësi i komunës së Podujevës, Nazmi Elezi, tha për KALLXO.com se në këtë komunë inspektorët bëjnë përpjekje për ta jetësuar këtë ligj duke inspektuar lokalet.
Por ai është në dijeni se “ka vende që e shkelin këtë ligj”.
“Inspektorati mundohet ta inspektojë këtë ligj, por ka vende që nuk e respektojnë”, tha Elezi.
Por probleme me respektimin e këtij ligji duket se nuk ka vetëm në lokalet e qytetit.
“Mund të ketë individë edhe brenda komunës qe nuk e respektojnë këtë ligj, si dhe në bufenë e komunë, por ne ende nuk kemi hasur ne ta”, thotë zëdhënësi Nazmi Elezi.
“Nëse hasim në këta njerëz, atëherë do të ndërmarrim masa”, u shpreh ai.
Por gjatë vizitës së ekipit të KALLXO.com në ndërtesën e komunës së Podujevës, kanë hasur në disa individë si brenda korridoreve të kësaj komune duke e thyer ligjin e po ashtu edhe në bufe të Komunës.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, thotë se rezultatet e implementimit të Ligjit mbi Kontrollin e Duhanit deri më tani kanë qenë të mira, por e pranon se nuk kanë qenë “ato që është pritur”.
“Para dy vitesh, sigurisht kudo në Kosovë lajm do të ishte nëse në ndonjë lokal nuk pihet duhan. Sot lajm është shkelja e ligjit në lokale”, thotë ai.
Hoti e pranon që stina e dimrit është më sfiduese për zbatimin e këtij Ligji.
Por ai thotë se është në duar të institucioneve mbikëqyrëse të zbatimit të ligjit që janë Inspektoratit Sanitar, Inspektorati Shëndetësor, Policia e Kosovës dhe institucione tjera.
“Qëllimi i ligjit është që qytetarët të mbrohen nga pasojat shkatërruese shëndetësore, sociale, ekonomike e mjedisore të duhanit dhe jo ndëshkimi i atyre që e konsumojnë atë”, thotë Faik Hoti.