“Boko Haram” Merr Nën Kontroll Bazën Nga e Cila Duhej të Sulmohej

Grupi militant “Boko Haram” pushtoi një qytet dhe bazën kryesore ushtarake multinacionale në verilindje të Nigerisë, thanë zyrtarët dhe dëshmitarët.

Një senator nga shteti Borno tha se trupat ushtarake braktisën bazën në qytetin Baga, pasi ajo u sulmua të shtunën.

Banorët e Baga-s që ikën me barka në shtetit fqinj të Çadit thanë se shumë njerëz janë vrarë ndërsa qyteti po digjej, raporton BBC-ja.

Baga ishte qyteti i fundit në regjionin verior të Borno-s që mbahej nën kontroll të forcave qeveritare.

Baza e marrë nga “Boko Haram”-i ishte mikpritëse e Task Forcës së Përbashkët Multinacionale (MNJTF) të përbërë nga trupat e Nigerisë, Çadit dhe Nigerit.

E vendosur në Baga në vitin 1998 për ta luftuar krimin ndërkufitar të liqenit të Çadit, Task Forca kohëve të fundit më tepër përballej me “Boko Haram”-in.

“Boko Haram”-i sulmon fshatrat dhe qytetet thuajse çdo ditë, ndërsa ushtria e Nigerisë edhe pse ka këshilltarë dhe mbikëqyrës perëndimore, duket se nuk ka kapacitete për t’u përballur me këtë grup.