BIRN dhe Internews Kosova Prezantojnë Draftin e Raportit të Monitorimit të Gjykatave në Kosovë

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) dhe Internews Kosova kanë diskutuar sot draft-raportin e monitorimit të gjykatave për vitin 2014 në një tryezë ku ishin të ftuar përfaqësuesit e gjykatave, prokurorive dhe institucioneve tjera të drejtësisë në vend.

Në këtë draft-raport janë të përfshira të dhënat nga monitorimi i 501 seancave gjyqësore, prej të cilave janë mbajtur 426, ndërsa 75 prej seancave të monitoruara nuk janë mbajtur.

Në raport janë të përfshira të gjitha problemet dhe shkeljet, duke u nisur nga ato teknike, e deri tek ato procedurale të cilat e kanë përcjellë punën e gjykatave dhe prokurorive të Republikës së Kosovës gjatw vitit 2014-të

Faik Ispahiu, drejtori i Internews Kosova, tha se qëllimi i tryezës ku ishin të ftuar përfaqësues nga të gjitha gjykatat dhe prokuroritë e vendit, është që të merren komentet dhe të gjitha vërejtjet, në mënyrë që të shtrytohen para se të publikohet raporti përfundimtar në muajin prill të këtij viti.

Furtuna Sheremeti nga zyra Ligjore e BIRN-it, tha se këtë vit raporti ka disa risi, pasi që raporti në vetë përmban edhe analizën ligjore për vendimin kontrovers të Gjykatës Kushtetuese për ri-emërimin e gjykatësve ndërkombëtarë, analizën e Pallatit të Drejtësisë, të numrit të prokurorëve dhe gjykatësve, analizën e pajisjeve teknike të gjykatave, gjetje nga Bench Bars si dhe matjen e aplikimit të rekomandimeve të raportit të vitit të kaluar.

Në anën tjetër, Kryetarja e Gjykatës Themelore të Pejës, Elmaze Syka, tha se kanë problem të shumta, të cilat janë të përmendura edhe në raportin e monitorimit të BIRN dhe Internews Kosova, mirëpo sipas saj jo të gjitha varen nga gjykatësit.

Prokurori Disiplinor Zef Prendrecaj, tha se shumica e të gjeturave të raportit janë të gjetura faktike dhe përputhen edhe me të dhënat që ka Zyra e Prokurorit Disiplinor.

Ushtruesi i Detyrës së Kryepokurorit të Shtetit Sylë Hoxha, tha se vonesat e prokurorëve në seancë gjyqësore janë evidente por se, sipas tij, kjo është si pasojë e numirt të vogël të prokurorëve.

Ky draft-raport përfshin edhe të dhënat për Pallatin e Drejtësië, dhe problemet e shumta të cilat janë duke e përcjelllur punën e zyratëve që janë vendosur në këtë objekt.

Draft-raporti përfshin edhe rekomandimet të cilat pas finalizimit të tij, do t`u dërgohen të gjitha institucioneve kompetente të fushës së drejtësisë.