Beg Rizaj Varroset në Kompleksin e Dëshmorëve të Gllogjanit

Kryetari i Deçanit Rasim Selmanaj ka bërë të ditur se Beg Rizaj, njëri nga të vrarët e përleshjeve të armatosura në Kumanovë do të varroset të dielën në Kompleksin Memorial në Gllogjan.

Selmanaj njoftimin e ka dhënë në profilin e tij të Facebook-ut, duke treguar edhe orën 16:00 si kohë të fillimit të ceremonisë së varrimit.

Për varrimin e Rizajt sipas Selmanajt është krijuar edhe Këshilli Organizativ që do të mblidhet nesër dhe do të japë detaje tjera.

Selmanaj bën të ditur se tubimi mortor për Rizajn nis në orën 14:00 të së dielës në sheshin para objektit të Komunës së Deçanit.

Kufomat e nëntë kosovarëve të vrarë janë sjellë në Kosovë në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Gjatë përleshjeve të nëntë dhe dhjetë majit u vranë dhjetë persona nga grupi i armatolsur dhe tetë policë maqedonas, ndërsa 23 kosovarë u arrestuan.

Gjatë përleshjeve të këtyre dy ditëve qenë vrarë dhjetë persona nga grupi i armatosur, nëntë prej tyre kosovarë dhe tetë policë, ndërsa ka edhe 23 kosovarë të arrestuar.

Më 13 maj Ardian Arifaj, këshilltar i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, kishte deklaruar për Kallxo.com  se kanë marrë listën zyrtare nga autoritetet e Maqedonisë me emrat e të arrestuarve nga Republika e Kosovës.

Ndërsa, dje në ”Jeta në Kosovë” ndoqët rrëfimin ekskluziv të njërit nga të plagosurit në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë.