
Bastisen 5 OJQ të Dyshuara për Financim të Terrorizmit
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës sot kanë bastisur pesë organizata joqeveritare, në dy lokacione të ndryshme, në Prishtinë dhe në Prizren, ka bërë të ditur Prokuroria e Kosovës.
Sipas Prokurorisë, në Prishtinë janë bastisur OJQ-të “Nisa”, “Bregu i Diellit” dhe “Ibni Sina”, ndërsa në Prizren janë bastisur OJQ-të “Kurani” dhe “Ehli Bejti”.
Bastisja thuhet të jetë kryer për shkak të dyshimit për veprën penale të shpëlarjes së parave lidhur me Ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Parandalimin e Financimit të Terrorizmit.
Gjatë bastisjes janë sekuestruar përkohësisht sende që mund të jenë prova gjatë procedurës penale, ndërsa nuk bëhet e ditur për ndonjë të arrestuar.
Prokuroria thotë se aksioni i sotëm është njëri nga veprimet e ndërmarra në një rast që është duke u hetuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, me qëllim të parandalimit dhe luftimit të terrorizmit në Kosovë.