Bashkimi Evropian: Protestat Dërgojnë Mesazh

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë e ka quajtur të papranueshme dhunën e cila është parë dje në rrugët dhe sheshet e Prishtinës, gjatë protestës e cila u shoqërua me përleshje mes protestuesve dhe policisë.

Në këtë mënyrë, Zyra e BE-së në Kosovë,

Kjo zyrë thotë se ka ndjekur me shqetësim të madh demonstratat e së martës.

“Protestimi paqësor është një e drejtë themelore, e patjetërsueshme demokratike e qytetarëve. Është një mënyrë demokratike përmes së cilës qytetarët dërgojnë mesazhe te udhëheqësit e tyre politikë”.

“Dhuna është e papranueshme: ajo gjithmonë shkon në dëm të shkakut të atij veprimi dhe rrezikon hapësirën demokratike. Prandaj është fillimisht në interes të atyre që organizojnë demonstrata dhe të atyre që demonstrojnë për t’u distancuar nga dhuna dhe për ta parandaluar atë gjatë tubimeve të tilla”, thuhet në një deklaratë të lëshuar sot nga Zyra e BE-së në Kosovë.

Por BE thotë se protestat në numër kaq të madh si ajo e djeshmja dhe ajo e së shtunës “janë gjithashtu një shenjë e frustrimit të qytetarëve me gjendjen në Kosovë”.

“Shpesh të njëjtat shkaqe po i shtyjnë njerëzit që të kërkojnë punë jashtë Kosovës apo madje edhe të bien viktima të migrimit të paligjshëm. Demonstratat janë për të dërguar një mesazh dhe ndoshta për të zgjuar institucionet politike. Por rrugët nuk janë mënyra për të gjetur zgjidhjen, aq më pak përmes ultimatumeve”, thuhet në deklaratë.

“Si në çdo shoqëri demokratike, zgjidhjet duhet të gjendet përmes dialogut politik në institucionet politike, përmes dialogut social mes partnerëve socialë – dhe me një dialog të hapur të autoriteteve me shoqërinë”.

“Kosova ka nevojë për të gjetur një gjuhë të përbashkët për të vepruar drejt zhvillimit ekonomik dhe sundimit të ligjit. Ne nxisim udhëheqësit politikë të të dyja anëve, koalicionin dhe opozitën, që të bashkojnë forcat e tyre në ofrimin e përgjigjeve për shpresat e njerëzve. Vendi më i përshtatshëm për këtë është Kuvendi”, thotë Zyra e BE-së.